Specializantët duan paga për orët e kujdestarisë

  • E.K /
  • 09 December 2021 - 13:12
Specializantët duan paga për orët e kujdestarisë

Një grup i specializantëve kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë.

Arianit Zajmi, kryetar i këshillit të specializantëve tha se kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër dhe janë shpërfillur në nivel institucional.

Me këtë rast, ai deklaroi se mbijetesa e tyre varet nga paga që marrin në sektorin publik.

“Ne nuk kemi mbështetje nga institucionet, ka neglizhencë totale gjatë këtyre 2 javëve, për të cilat ne kemi pasur takim me Komisionin për Shëndetësi dhe aty na është thënë se kërkesat tona janë të realizueshme por krejt varet se sa ekziston vullneti politik në mes të kryeministrit, ministrit të Financave dhe atij të Shëndetësisë”, theksoi ai.

Ndërsa, Amire Damolli, specializante e Kirurgjisë Plastike tha se shumë kolegë të saj që kanë mbajtur kujdestari nuk janë paguar asnjë cent.

“Ne i mbajmë diku 120 orë kujdestari jashtë orëve të rregullta që i kemi nga e hëna deri të premten që janë 40 orë dhe kolegëve iu paguhen zero cent. Kolegët kanë mbajtur kujdestari edhe në klinikat COVID dhe nuk janë paguar, nuk kanë marr as shtesa dhe as pagë“, theksoi ajo.

(Kosova Sot Online)