Sanksionet e ShBA-së ndaj bandave në veri, Kurti: U legjitimua aksioni i policisë në veri

  • E.K /
  • 10 December 2021 - 14:40
Sanksionet e ShBA-së ndaj bandave në veri, Kurti: U legjitimua aksioni i policisë në veri

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë ka folur për sanksionet që Departamenti amerikan i Thesarit ka ndërmarrë ndaj grupit të organizuar kriminal në veri të vendit para dy ditësh.

Kurti tha se sanksionet e ShBA-së mbi këto grupe kanë legjitimuar aksionet që policia e Kosovës ka ndërmarrë kundër kontrabandës në veri të Mitrovicës.

“Sanksionet e SHBA-së mbi këta individë e këto grupe kriminale treguan qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit që shtypin e shfrytëzojnë qytetarët e pjesës veriore dhe vërtetuan legjitimitetin e veprimeve të policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale”, tha Kurti.

Shefi i qeverisë kosovare tutje tha se grupeve kriminale do t’i përgjigjen me luftë të përbashkët të institucioneve pa dallim etnie.

“Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional Ne do t’i përgjigjemi me luftë të përbashëkët ndërmjet zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët tanë.  Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë në luftimin e krimit të organizuar në çdo pjesë të vendit”, tha Kurti.

(Kosova Sot Online)