Kosova me një vështrim: Rritje e çmimeve, krizë me rrymë dhe protesta – Qeveria në luftë frontale me sindikatat

  • A.P /
  • 15 December 2021 - 20:13
Kosova me një vështrim: Rritje e çmimeve, krizë me rrymë dhe protesta – Qeveria në luftë frontale me sindikatat

Një sërë problemesh, disa prej të cilave veçse kanë ekzistuar në Kosovë, janë theksuar këtë kohë. Çmimet e produkteve, përfshirë ato baziket, janë shtrenjtuar. Qytetarët janë obliguar nga Qeveria të mendojnë për kursimin e rrymës. Paralajmërohet edhe shtrenjtimi i ujit. Të pakënaqur janë edhe gastronomët, të cilët protestuan sot, duke kërkuar lirimin e masave antiCovid. Sindikatat kryesore në vend, të arsimit dhe të shendetësisë, kanë nisur numërimin mbrapsht për grevat. Kryeministri Kurti tashmë u ka shpallur luftë disave prej tyre.

Për kryeministrin Albin Kurti, disa prej kryesindikalistëve janë të padenjë. Ai i komenton udhëheqësit e sindikatave, sa herë që pyetët për kërkesat e tyre. Drejtuesit e tyre vazhdojnë t’i përgjigjen me ultimatume.

Për dy ditë, në Kuvendin e Kosovës u diskutua për problemet e punëtorëve të sektoreve të ndryshëm, të cilët kërkojnë rritje pagash e po paralajmërojnë greva. Kryeministri Kurti disa prej kryesindikalistëve i akuzoi për bashkëpunim me ish-pushtetet

Punëtorët shëndetësorë kanë mbajtur dy greva në javët e fundit. Ata dhe sindikalistët e sektorëve të ndryshëm në Kosovë po kërkojnë që Qeveria ta hartojë bashkë me ta një projektligj për pagat, dhe që ai ligj të zbatohet nga viti 2022.

Përfaqësuesit e punëtorëve shëndetësorë thonë se ende nuk kanë mundur ta takojnë Kurtin për t’ia shprehur shqetësimet e tyre. Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha para një jave në një konferencë për media se “jemi të interesuar që të mos kemi takime të këtilla edhe në të ardhmen”, pasi tha se ata “edhe më herët kanë takuar kryeministra e ministra, por problemet nuk janë zgjidhur”.

Përderisa Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës (SBASHK), tashmë ka paralajmëruar dy protesta në muajin dhjetor dhe grevë eventuale në janar të vitit të ardhshëm, tri sindikata të tjera, ajo e policisë, e doganave dhe zjarrfikësve janë duke i shqyrtuar mundësitë e protestës me kërkesën që Projektligji për pagat të hartohet në bashkëpunim me sindikatat.

Kriza energjetike është kryetema e këtyre ditëve dhe javëve. Fillimisht u paralajmërua shtrenjtim i rrymës nga KEDS. Pas reagimeve, kryeministrit Kurti doli para mediave për të njoftuar se Qeveria do ta mbulojë furnizimin me energji elektrike.

Duke pritur zgjidhje, qytetarëve të Prishtinës sot u është ndërprerë ngrohja nga “Termokosi” për shkak të mosfurnizimit me avull nga Korporata Energjetike e Kosovës.

KEK-u tha se kjo ka ndodhur për shkak të një rrjedhje në kaldajën e njësisë B1 dhe për këtë arsye janë detyruar ta ndalin furnizimin me avull për ngrohtoren “Termokos”. Sipas KEK-ut, nga e enjtja do të krijohen kushtet për furnizim.

Për shkak të krizës energjetike, prej tetorit kanë mbetur pa punë qindra punëtorë të “Ferronikelit”. Ata kanë protestuar disa herë para objektit të Qeverisë për të kërkuar nga kryeministri i Kosovës që të bëhet zgjidhje për ta.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës gjendet përballë kërkesave të qytetarëve për të vepruar kundrejt rritjes së çmimeve të produkteve bazike.

Serbia e Maqedonia e Veriut kanë ngrirë çmimet e produkteve bazike. Qeveria e Kosovës thotë se po bën veprime të tjera, të cilat në Ekzekutiv besojnë se do t’i përgjigjen situatës së krijuar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se në Kosovë, qysh nga viti 1999 nuk ka pasur inflacion më të lartë se këtë vit.

“Ngritja e çmimeve ka ndikuar shumë në mirëqenien e qytetarëve. Qeveria duhet ta zbusë këtë barrë që ka popullata”, ka thënë Rukiqi për REL.

Kryeministri Kurti i kishte dhënë mundësi edhe shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kuvend të hënën, kur po pyetej nga opozita rreth krizës energjetike.

Kurti tha të se qytetarët po shpenzojnë shumë energji elektrike, edhe për shkak se ajo u kushton lirë.

Në fillim të këtij muaji, KEDS-i ka kërkuar ndihmë nga të gjithë për t’u përballur me krizën, duke thënë se mundësitë financiare janë shterur deri në fund si pasojë e përballjes me çmime të larta për importimin e energjisë elektrike.

Edhe uji pritet të shtrenjtohet. Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit në Kosovë (ARRU) nuk e ka përjashtuar mundësinë e rritjes eventuale të çmimit të ujit. Kjo, sipas ARRU-së konsiston me rritjen e çmimeve të produkteve bazike, siç janë energjia elektrike.

(Kosova Sot Online)