Protestojnë punëtorët e KEK’ut, duan edhe rrogën e 13’të

  • E.K /
  • 20 December 2021 - 12:32
Protestojnë punëtorët e KEK’ut, duan edhe rrogën e 13’të

Punëtorët e Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës po protestojnë sot para Divizionit të Termocentralit “Kosova B”. Ata kërkojnë që të zbatohet marrëveshja kolektive, të kenë sigurime shëndetësore në afate njëvjeçare, e të marrin edhe rrogën e 13’të.

Me këtë rast, njëri nga organizatorët e protestës, Nexhat Llumnica, nënkryetar i sindikatës së re të korporatës energjetike të Kosovës, ka thënë se i kanë adresuar kërkesat e tyre, por që deri më tani nuk janë marrë parasysh.

Ai ka deklaruar se ata kanë realizuar planin e punës mbi 100 për qind, por që nuk ju njihen as pushimet vjetore e as paga e 13’të.

“Ne kemi adresuar disa kërkesa që dy vjet, që të respektohet Ligji i Punës ashtu siç është i përcaktuar. Ne kemi realizuar planin mbi 100 për qind. Në marrëveshjen e përgjithshme kolektive neve na takon edhe paga e 13-të. Nuk njihen pushimet vjetore me vende me rrezikshmëri, që duhet të jenë 30 ditë pushim vjetor. Nuk bëhet marrëveshja kolektive, e vetmja ndërmarrje publike që ka marrëveshje kolektive në nivel të ndërmarrjeve është KEK-u edhe pse KEK është ndërmarrja më gjigante në Kosovë, ma e fuqishmja edhe financiarisht edhe me prodhim”, u shpreh Llumnica.

(Kosova Sot Online)