Studimi: 4 në 10 pacientë me koronavirus nuk kanë simptoma

  • E.K /
  • 20 December 2021 - 12:52
Studimi: 4 në 10 pacientë me koronavirus nuk kanë simptoma

Më shumë se 4 në 10 pacientë me COVID-19 janë asimptomatikë, sipas një studimi në Kinë.

Studimi përfshiu 30 milionë persona, ku 40.5% e rasteve me Covid nuk kishin simptoma. Në fakt, përqindja e asimptomatikëve ishte më e lartë në grupe të caktuara, duke përfshirë gratë shtatzëna (54%), personat që udhëtonin me avion dhe anije turistike (53%).

“Përqindja e lartë e asimptomatikëve  tregon rrezikun e mundshëm të transmetimit të virusit në komunitet,” tha autori i studimit, profesor Min Liu i Universitetit të Pekinit në një artikull në revistën  JAMA Network Open.

Simptomat tipike të koronavirusit përfshijnë ethe, kollë, humbje të shijes ose nuhatjes, lodhje dhe gulçim. Megjithatë, ka shumë që nuk kanë asnjë nga këto simptoma, por mund ta transmetojnë virusin.

Hulumtimet globale kanë treguar gjithashtu se të rinjtë që janë bartës të virusit kanë më shumë gjasa të jenë asimptomatikë. Në veçanti, personat nën moshën 39 vjeç kanë më shumë gjasa të jenë asimptomatikë, duke konfirmuar hulumtimet e mëparshme.

“Kërkimet kanë treguar se të rinjtë të cilët shpesh kanë simptoma të lehta ose nuk kanë aspak simptoma janë një burim i mundshëm transmetimi në komunitet”, sipas autorëve të studimit.

(Kosova Sot Online)