Me armë lodër grabitën para në Postë

  • E.K /
  • 20 December 2021 - 14:31
Me armë lodër grabitën para në Postë

Dy të mitur në Kamëz, 15 dhe 17 vjeç janë arrestuar nga Policia e Shqipërisë, pasi të njëjtit dyshohet se vodhën nën kërcënimin e një arme lodër, një shumë parash në filialin e Postës Shqiptare.

Policia e Shqipërisë gjatë finalizimit të operacionit të koduar “Filiali” ka bërë të ditur se janë sekuestruar një shumë parash dhe një nga biçikletat e përdorura për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

“Në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 15.12.2021, bazuar në provat e grumbulluara dhe informacionet e marra në rrugë operative u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Filiali”. Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasve R. S., 15 vjeç, banues në rrugën “Gani Kryeziu” dhe E. L., 17 vjeç, banues në rrugën “Ilmi Kolgjegja”.

“Këta shtetas, më datë 15.12.2021, rreth orës 09:15, të maskuar me kapuçët e xhupave që kishin veshur, kanë hyrë në filialin e Postës Shqiptare në Babrru dhe nën kërcënimin e një arme lodër, kanë marrë 200.000 lekë dhe janë larguar me biçikleta”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu bëhet e ditur se gjatë kontrollit të banesave të tyre janë gjetur e sekuestruar 160.500 lekë të rinj dhe një nga biçikletat e përdorura për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

(Kosova Sot Online)