
Drejtori i KEK-ut: Eksperti gjerman do ta bëjë vetëm inspektimin, pastaj vijnë të tjerë për tjera punë

Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka thënë se do të ketë më shumë se një ekspert që do të vijë në Kosovë për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve në termocentralet e Kosovës.
Vendin e ka kapluar një krizë energjetike, e si pasojë Kosova po përballet me reduktime të rrymës.
Krasniqi ka njoftuar se eksperti gjerman që vjen në Kosovë do të vijë vetëm për të inspektuar, pastaj do të vijnë të tjerë.
Eksperti i parë vetëm e bën inspektimin, i dërgon të dhënat në kompaninë që është prodhuese e turbinës, e që pastaj të gjitha këto e sjellin një rezultat i cili tregon se cilat janë riparimet dhe dëmtimet që kanë ndodhur”, është shprehur Krasniqi
“Pastaj vjen një ekspert tjetër që i bën testimet, pastaj tjetër që i bën proceset tjera që janë teknike dhe janë një numër i konsiderueshëm i tyre që vinë në këtë proces, nuk është veç një”, sqaroi Krasniqi.
Ndihma nga jashtë Kosovës do t’i kushtojë 248 mijë euro. E në pyetjen se a janë shumë para, Krasniqi u përgjigj negativisht.
“Jo, nuk është. Këtu përfshihen të gjitha. Përfshihet shërbimi i riparimit, përfshi ekspertët, materialin për riparim, përfshi testet që duhet t’i bëjnë etj”, ka thënë Krasniqi.
“Ata kanë edhe kompani të kontraktuese që i kryejnë këto punë, pra nuk i kryejnë të gjitha vetë”, shtoi Krasniqi.
(Kosova Sot Online)