A e keni menduar si festohet Viti i Ri në kurbet?

  • A.P /
  • 31 December 2021 - 22:01
A e keni menduar si festohet Viti i Ri në kurbet?

Festat e fundvitit janë ato që i bashkojnë familjet.

Por, jo të gjithë e kanë mundësinë që t’i kalojnë ato pranë të afërmve dhe në vendlindjen e tyre.

Ani pse në vendet e tjera të Evropës e botës mund të bëhen organizime më të mëdha se në Kosovë, kjo gjë duket se nuk ua mbush zemrat bashkatdhetarëve tanë atje.

Ylfete Mataj, nga komuna e Deçanit, që jeton në Gjermani, për Klankosova.tv u shpreh se nuk ndihet e plotësuar gjatë festave atje.

“Një festë e madhe për një vit që kaloj dhe për një tjetër që po fillon. Një tryezë e mbushur plot, por një zemër e përgjysmuar, pa shumë njerëz të zemrës që nuk i kemi afër, e që do të dëshironim ti kemi. T’i kishim ata prindër që iu shtohen rrudhat çdo ditë nga mungesa jonë”, tha ajo.

Ajo tregoi edhe se e kishte marrë malli për Kosovën dhe për formën e të festuarit që e bënin ajo dhe familja e saj, vite më parë.

“Na merr malli për atë vend aq të vogël, por shumë të dashur për ne, që nuk e zëvëndëson as një Gjermani me kaq shumë gjëra të mira. Por, me një shpresë që viti që po vjen të na ngrohë atë zemër të përgjysmuar dhe ta ndjejmë atë Vit të Ri që kemi festuar dikur me shumë pak gjëra, por me një lumturi të madhe kur i bashkonim gotat”, u shpreh Mataj.

E dikush që me vite të tëra e priti Vitin e Ri i vetmuar, në Zvicër, po në të njëjtin vend do ta pres edhe këtë vit, veçse tani bashkë me gruan dhe djalin.

Për Rexhep Ukajn nga Vranoci i Deçanit festat në Zvicër janë të zbehta, sepse pjesën tjetër të familjes e ka në Kosovë.

“Sezona e dimrit është më e mundimshme për udhëtim. Me veturë rrugë e gjatë, e moti i ftohtë. Unë bashkë me gruan dhe djalin tim edhe këtë vit këtu po i kalojmë festat, po mundohemi me kalu mirë, ndonjë dhuratë të vogël po të mundem edhe atje dërgojmë. Pra, për një familje këtu, me standard mesatar e më poshtë, besoj që shumë më pak shpenzohet këtu, se në Kosovë”, u shpreh Ukaj.

Ai për Klankosova.tv rrëfeu kohën kur jetonte në Zvicër i vetëm, por edhe pa status, e madje pikërisht për këtë arsye as gjatë festave nuk kishte mundësi të merrte pjesë në organizimet që bëheshin.

“Nga viti 1996 deri në vitin 2006, festat e fundvitit m’kanë gjetë e m’kanë lanë në Zvicër. Nga viti 2007 deri në vitin 2015,  prapë në Kosovë për festa, e nga 2016 e deri më sot, festat i kam pritë në Zvicër. Vitet pa status isha gjatë gjithë kohës vetëm, pra edhe gjatë festave të fundviti, vinte e shkonte Viti i Ri, pa e vërejt. Gjatë viteve vetëm, festën e kam kaluar para televizorit, duke realizuar ndonjë telefonatë me familjen time në Kosovë”.

“Në disa qendra organizoheshin pritje të Vitit të Ri, me muzikë shqip dhe këngëtar nga Kosova e Shqipëria, por unë i kisha lëvizjet e kufizuara, e kishte plotë të tjerë si unë. Pastaj, vitet me status të rregulluar, që i kam prit këtu festat, nuk është se kemi bërë ndonjë organizim kush e di se çka, por jemi munduar të bëjmë një ‘imitim’ feste.Në Zvicër, nuk është që festohet Viti i Ri. Në mesnatë gjuhen fishekzjarre në mënyrë të organizuar”, u shpreh Ukaj

Organizim më i madh i shqiptarëve, duket se bëhet në Amerikë, aty ku në natën e ndërrimit të motmoteve, sipas Hysnije Brahimajt nga komuna e Gjakovës, jehon kënga shqipe.

Brahimaj për Klankosova.tv tregoi se si bëhen organizimet e shqiptarëve në Amerikë, për festat e fundvitit, e veçanërisht atë të Vitit të Ri.

“Zakonisht këtu në Amerikë ka tubime të mëdha nga komuniteti në restorante më këngëtar  nga Kosova dhe Shqipëria si dhe vise tjera prej nga vinë. Për shembull, në New York është një komunitet shumë i madh i shqiptarëve e festat e fundvitit  i kalojnë në restorante. Unë me bashkëshortin tim kemi qenë disa herë,  por për shkak që kemi resorantin tonë ka shumë vite qe nuk mund të shkojmë në këto vende dhe na mungonë shumë, por prapë ne orginazojmë  në restorant një “mini Kosovë”.

“Mund të them lirisht që nuk ka familje që nuk feston në një mënyrë ose në tjetrën. Të rinjt shkojnë në  New York të festojnë në qiellin e hapur, ku bashkohen me miljona  njerz ! Kudo që jemi  në restorante  apo në familje presim  që të bëhet ora 00:00 dhe perqafohemi me familjarët për të shpreh dashurinë  ndajë tyre dhe faleminderim të Zotit edhe për një vit të mbarë”, u shpreh ajo.

Megjithatë, as Brahimaj nuk harroi ta theksonte mallin për vendlindjen dhe personat e afërt që i ka në Kosovë.

“Pastaj mundohemi  t’i thërrasim familjarët që i kemi larg, e e kjo është koha që më së shumti mallëngjehemi dhe e ndjejmë atë zbrazëtinë që kemi për  familjarët dhe vendlindjen tonë. Nuk e kemi fatin të festojmë në vendin tonë, që aq shumë na mungon” u shpreh Brahimaj

Tutje, krahas urimeve për të gjithë të afërmit që i kanë në Kosovë, ata gjithashtu uruan që festat e tjera t’i gjejnë të bashkuar.

(Kosova Sot Online)