Von der Leyen: BE-ja po punon

  • A.P /
  • 03 February 2022 - 16:08
Von der Leyen: BE-ja po punon

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të enjten se Bashkimi Evropian është duke punuar për një përgjigje të përbashkët ndaj një letre që e kanë marrë shumë anëtare të saj nga Rusia këtë javë, me të cilën kërkohen garanci të sigurisë.

“Jemi duke punuar për bashkërendimin e përgjigjes. Ne jemi të bashkuar në Bashkimin Evropian dhe prandaj është e qartë se përgjigjja do ta pasqyrojë këtë unitet”, tha Von der Leyen për gazetarët gjatë një vizite në Helsinki të Finlandës.

Këtë javë, Rusia u dërgoi letra vendeve të NATO-s dhe OSBE-së, përfshirë Finlandën, duke u kërkuar garanci të sigurisë, të detyrueshme ligjërisht, shkruan Reuters.

Zyrtarja e lartë evropiane i bëri thirrje Rusisë që të kthehet në rrugën e paqes dhe dialogut. “Në rast se ka ndonjë agresion të mëtejmë ushtarak kundër Ukrainës, do të ketë sanksione financiare dhe ekonomike nga ana jonë. Shpresojmë se kjo nuk është e nevojshme”, tha ajo.

Finlanda, e cila e ka kufirin më të gjatë të jashtëm të BE-së me Rusinë dhe nuk është anëtare e NATO-s, i ka përcjell zhvillimet me shqetësim përderisa Rusia fqinje është bërë më agresive.

(Kosova Sot Online)