
Lexoni edhe:
Qeveria Kurti ka vepruar në mënyrë ligjore për të mundësuar që komuniteti serb të përfitojë shërbime bazike
Shkruan: ANALISTI-Blerim Burjani
Asnjë shtet nuk vepron pa ndonjë marrëveshje reciproke, të dyanshme, për të bërë favore ndaj një shteti të huaj. Nuk është normale që të huajt të trajtohen ndryshe; ose trajtohen njësoj nga ligji, ose ekzistojnë marrëveshje reciproke që rregullojnë çështje të caktuara. Por jo që njëra palë të përfitojë favore pa reciprocitet.
-Madje ne nuk kemi as me Shqipërinë një trajtim të tillë të veçantë, edhe pse jemi dy shtete dhe një komb. Pra, favori mund të jepet, por çfarë fitohet nga një favorizim i tillë? Asgjë.
Disa qarqe në BE u konvenojnë qëndrime të tilla ndaj Serbisë, madje edhe shumë më të buta. Kjo dihet që nga fillimi, sepse disa shtete të BE-së gjithmonë kanë pasur një qasje të tillë. Prandaj duhet të kemi qasje të njëjtë ndaj të gjitha shteteve.
Kosova është një shtet i ri dhe deri tash nuk ka pasur as viza për shtetet që e njohin Kosovën, as në BE, as në Evropë, e as në botë. Nëse dëshirohet të ndryshohet kjo qasje, atëherë duhet të bazohet në respektimin e sovranitetit të shtetit.
Së dyti, në thelb nuk ndryshon asgjë. Kurti shpesh bën këto lëvizje politike: një hap përpara dhe dhjetë prapa. Serbia nuk ka çfarë të presë as nga Kurti e as nga opozita për çështjen e Asociacionit. Situata është e qartë: Kurti ose do ta zbatojë marrëveshjen, edhe atë që nuk është shkruar qartë në të, ose vetëm po jep kohë që serbët lokalë të ndryshojnë qasje. Nëse serbët lokalë vazhdojnë me qasjen e Listës Serbe, atëherë nuk ka asgjë të re këtu.
Për ta prishur këtë situatë, edhe BE-ja i njohu pasaportat e serbëve që jetojnë në Kosovë, pra pasaportat e Serbisë. Por sipas Ligjit të Kosovës për të huajt, kujt i duhet pasaporta serbe në Kosovë? Askënd. Tash ata i nënshtrohen rregullave ligjore të Kosovës.
Megjithatë, mbetet të shihet, sepse BE-ja me këtë qasje shpesh i krijon probleme Kosovës, sidomos kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjeve të Kosovës për pakicën serbe dhe për strukturat paralele të Serbisë. Kurti bëri një lëshim, por mbetet pyetja nëse do ta ketë më shumë dobi apo dëm nga kjo.
Dialogu aktualisht është në një rrugë pa dalje; nuk ka asgjë konkrete. Asociacionin Kurti nuk do ta bëjë kurrë, sepse ai e di mirë çfarë do të thotë një Asociacion sipas draftit të BE-së: Kosova do të humbte një pjesë të sovranitetit në veri dhe nuk do të mund të vendoste për shumë çështje pa BE-në dhe Serbinë, sidomos në zonat ku jetojnë serbët në Kosovë.
Së treti, vijat e kuqe mund të bëhen edhe të gjelbra. Nëse bëhen lëshime, atëherë presioni do të rritet edhe më shumë për temat e tjera. BE-ja ndoshta ka premtuar se në Kosovë, gradualisht, do të shuhen institucionet paralele, por kjo mund të jetë edhe një mashtrim. Ata dinë të mashtrojnë mirë, siç ndodhi edhe me çështjen e fusnotës.
Kurti duhet të bëjë një marrëveshje më të kujdesshme me BE-në për serbët lokalë në Kosovë. Diku mund t’i leverdisë, por diku tjetër mund t’i kthehet shumë keq. Në fund, ka gjasa që të humbasë më shumë sesa të fitojë.
Edhe Hashim Thaçi ka bërë një varg kompromisesh për pakicën serbe, por në fund nuk fitoi asgjë; përkundrazi, vetëm humbi.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".