Kusari-Lila: Grupi i VV heq dorë nga kompensimet mujore të deputeteve

  • A.P /
  • 08 February 2022 - 16:15
Kusari-Lila: Grupi i VV heq dorë nga kompensimet mujore të deputeteve

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar se kanë proceduar kërkesë zyrtare në Kryesinë e Kuvendit për të rishikuar vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve mujore. Kjo pas publikimit të shpenzimeve të deputetëve për karburante.

Kusari-Lila tha se përmes kësaj kërkese kanë kërkuar që të autorizohet Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere që të rishikojë këtë vendim.

“Sot Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka proceduar kërkesë zyrtare në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të autorizohet Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere për të rishikuar vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve mujore”, ka njoftuar ajo përmes një postimi në “Facebook”.

Më tutje, Kusari-Lila tha se deputetët e VV-së do të heqin dorë vullnetarisht nga kompensimi për shpenzimet e udhëtimit, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione.

“Poashtu, e ritheksojmë se deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, heqin dorë vullnetarisht nga kompensimi për shpenzimet e udhëtimit, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione, ndërsa shprehemi të gatshëm të kontribuojmë në përmbajtjen e vendimit të ri për lartësinë e kompenzimit të deputetëve duke ftuar të gjitha palët e interesuara të bëhen pjesë e diskutimit kur të fillojë puna në vendimin e ri”, ka shkruar ajo.


(Kosova Sot Online)