Kompensimet e udhëtimit, kryeparlamentarja e Norvegjisë pati dhënë dorëheqje për një skandal të ngjashëm me deputetët në Kosovë

  • E. /
  • 15 February 2022 - 15:22
Kompensimet e udhëtimit, kryeparlamentarja e Norvegjisë pati dhënë dorëheqje për një skandal të ngjashëm me deputetët në Kosovë

Kryetarja e Parlamentit norvegjez, Eva Kristin Hansen kishte dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar pasi u zbulua se e ka shfrytëzuar një banesë të shtetit, e paraparë për shfrytëzim nga zyrtarët që udhëtojnë deri në 40 kilometra.

Ajo e posedonte një shtëpi më afër se 40 kilometra dhe ky rast e përfshiu parlamentin norvegjez në një skandal që i kushtoi 48-vjeçares me humbjen e vendit të punës.

Hansen, anëtare e Partisë Laburiste të qendrës së majtë në pushtet, dha dorëheqje pasi dpolicia njoftoi për nisjen e hetimeve ndaj saj dhe administrata e parlamentit tha se ajo i kishte thyer rregullat. Një gazetë lokale zbuloi se ajo e kishte shtëpinë 29 kilometra larg Oslos.

“Unë nuk mendoj se është e pranueshme që Parlamenti ta ketë një kryetare nën hetimin e policisë. Prandaj e informova kryetarin e partisë dhe drejtuesit se do të jap dorëheqje”, kishte thënë ajo.

Siç raportuan mediat norvegjeze, ky rast kërcënon ta gërryejë nivelin e lartë të besimit të qytetarëve në establishmentin politik të Norvegjisë.

“Banesat e udhëtarëve”, të cilat paguhen nga Parlamenti norvegjez në Oslso parashihen të përdorën veç nga ata zyrtarë që organin ligjvënës të vendit e kanë më larg sesa 40 kilometra.

Disa javë para këtij rasti, Kjell Ingolf Ropstad kishte dhënë dorëheqje si lider i Kristian Demokratëve të qendrës së djathtë dhe si ministër i qeverisë, pasi ai kërkoi një banesë të tillë për familjen e tij ndërsa e përdorte shtëpinë e prindërve qindra kilometra larg Oslos si adresë të tij.

Prokurorët publikë urdhëruan policinë fillimisht që t’i hetojë gjashtë deputetë nëse ata kanë kryer mashtrime apo vepra të tjera penale.

Hansen tha se ishte “shumë e sëmurë” në kohën kur e mori banesën, duke u penduar për thyerjen e rregullave.

Norvegjia është vendi ku qytetarët kanë një nga nivelet më të larta të besimit në botë te politikanët dhe sistemi politik.

Duke e shfrytëzuar një vendim të Kuvendit për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit, disa deputetë të Kosovës morën qindra e mijëra euro si kompensim për udhëtim.

Disa nga ta u kompensuan për udhëtim, ani pse jetonin vetëm pak metra larg Kuvendit.

Skandali pothuajse është shuar, disa ditë pas publikimit të të dhënave.

(Kosova Sot Online)