Dënohet me 1 vit burgim me kusht i akuzuari që kërcënoi me armë dhe e sulmoi fizikisht një person në Veternik

  • A.P /
  • 16 February 2022 - 18:18
Dënohet me 1 vit burgim me kusht i akuzuari që kërcënoi me armë dhe e sulmoi fizikisht një person në Veternik

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me një vit burgim me kusht të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, G.S.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të mërkurën nga gjykatësi Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, dënimi në fjalë, të akuzuarit nuk do t’i ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej dy viteve.

Po ashtu, i njëjti është obliguar që të paguaj 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Gjithashtu, atij i është konfiskuar arma e tipit “Ekol Special 99”.

Sipas gjykatësit Kamberi, kundër këtij aktgjykimi lejohet e drejta e ankesës në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të të njëjtit me shkrim.

Ndryshe, G.S akuzohej së bashku me L.G për veprën penale “Mbajtja në pronësi, posedim, kontroll apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës dhe veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153, par. 2 lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Mirëpo, në seancën fillestare të mbajtur më 14 shkurt 2022, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë dhe për të ishte veçuar procedura penale, ndërsa G. ishte deklaruar i pafajshëm.

Në seancën e 14 shkurtit, gjithashtu gjyqtari ka njoftuar se vepra penale “Lëndim i Lehtë” për të cilën po akuzoheshin të lartcekurit kishte arritur parashkrimin absolut.

Sipas aktakuzës së ngritur në shtator të 2013 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, G.S dhe L.G, thuhet se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, posedim, kontroll apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve” dhe në bashkëkryerje veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Në aktin  akuzues thuhet se në prill të 2019-ës, i akuzuari  G.S në një restorant i cili gjendet në Veternik-Prishtinë, në një tavolinë i shoqëruar me të pandehurin L.G dhe dëshmitaren S.P, ndërsa në tavolinën tjetër ku ishte i ulur i dëmtuari B.A dhe shokët e tij A.B dhe A.H, i pandehuri G.S i drejtohet të dëmtuarit Ademi me fjalët se “çka po shikon”, i dëmtuari A.  i përgjigjet “nuk po të shikoj as që po të njoh”.

Tutje thuhet se në atë moment, i pandehuri G.S shkon në drejtim të tavolinës së të dëmtuarit A. dhe nxjerr revolen ngjyrë të zezë me gaz e tipit “Ekol Special 99”, në të cilën kishte edhe katër fishekë dhe i njëjti këtë armë e repertirë dhe ia drejton dëmtuarit A., me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit.

Po ashtu në të njëjtën ditë, kohë dhe vend, thuhet se i akuzuari G. të akuzuarit S. ia merr armën e lartcekur nga dora dhe me karikatorin e revoles e godet të dëmtuarin A.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit S. dhe G. me datë, kohë dhe vendin e lartcekur, të dëmtuarin A. me dashje e kanë sulmuar fizikisht me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa i pandehuri G. me karikatorin e revoles e godet të dëmtuarin A., me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këtë, të akuzuarit S. dhe G., secili veç e veç thuhet se kanë kryer veprën penale “Mbajtja ne pronësi posedim, kontroll apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 1, të Kodit Penal të Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në 10 mijë euro ose me burgim prej një deri në dhjetë vite.

Ndërsa të njëjtit thuhet se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153, paragrafi 2 lidhur me nenin 23, të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në tri vite.

(Kosova Sot Online)