Ja kë e takoi Kurti në Mynih

  • A.P /
  • 20 February 2022 - 13:12
Ja kë e takoi Kurti në Mynih

Kryeministri Albin Kurti të premtën udhëtoi për në Mynih të Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë atje. I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, Kurti ka zhvilluar disa takime, ndonëse nuk ka mundur ta takojë ndonjë prej liderëve të shteteve të fuqishme, të cilët, edhe nga qyteti më i populluar gjerman, po merren me situatën e tensionuar në Ukrainë, shtetin të cilin presidenti i SHBA-së, Joe Biden beson se presidenti rus, Vladimir Putin ka marrë vendim për ta pushtuar.

Në ditën e parë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla u takuan me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn, ku pashmangshëm u përmend mungesa e liberalizimit të vizave për Kosovën, por si gjithmonë, diskutimi i ri për këtë çështje nuk shkoi më larg deklaratave të dhëna edhe më parë.

Kurti atje e zhvilloi një takim edhe me kryeministrin e ri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me të cilin nuk i është bërë puna të takohet në Ballkan.

Në ditën e parë në Mynih, Kurti u takua po ashtu edhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, Ayman Safadi.Përveç tjerash, në këtë takim u tha se u diskutua mbi qëllimet e përbashkëta në fushën e sigurisë dhe për sfidat në ballafaqimin me pandeminë. 

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Australisë dhe thellimi i metejmë i tyre u tha se ishte tema e takimit mes kryeministrit Albin Kurti me  ministren e Punëve të Jashtme të Australisë, Marise Payne. Karakteristikë e këtij takimi u bë edhe xhami që i ndante dy palët.

Të shtunën, Kurti e nisi ditën e re në Gjermani me takimin që e pati me Senatoren nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst. Temat e diskutimit ishin partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe rritja e bashkëpunimit mes Kosovës dhe shtetit të Iowa-s.

Kurti më pas pati takim edhe me Cem Özdemir, ministër për Agrikulturë të Republikës Federale të Gjermanisë.

Edhe në Gjermani, Kurti e takoi Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, me të cilin u shfaq me disponim të mirë. Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ia shprehu emisarit evropian gatishmërinë e tij për dialogun me Serbinë.

Çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishte tema e takimit tjetër ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministres Donika Gërvalla me Presidentin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Peter Maurer.

Kurti u takua edhe me bashkë-drejtuesin e Partisë së Gjelbër gjermane, deputetin Omid Nouripour. ZKM tha se kryeministri Kurti i tha Nouripour se mirëpret vëmendjen e shtuar të Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor. 

Gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri Kurti pati edhe një drekë pune me ndërmarrës dhe investitorë të huaj në kuadër të Forumit Angermyer të Politikës dhe Inovacionit, ku prezantoi mundësitë dhe potencialin për investime në Kosovë si dhe i ftoi ndërmarrësit dhe investitorët e huaj të investojnë në Kosovë.

Kurti e takoi pastaj edhe kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov. ZKM tha se biseduan për mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, sidomos në fushën e sigurisë dhe të diversifikimit të energjisë.

Kurti e takoi edhe lideren opozitare të Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanouskaya. Situata aktuale politike dhe përkeqësimi i demokracisë në Bjellorusi, u diskutuan në këtë takim.

Në përfundim të ditës së dytë të qëndrimit në Mynih të Gjermanisë, Kurti dhe Gërvalla e takuan Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell. Në takim u diskutua kryesisht për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të dy më pas e takuan edhe ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde.

Sot, kryeministri Kurti e takoi Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, me të cilin u tha se u diskutua rreziku i ndarjes së Bosnjës dhe situria në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kurti sot në Konferencën e Sigurisë në Gjermani, mori pjesë edhe në një panel me titullin “Humbur në Tranzicion: Sfidat dhe Perspektivat e Llogaridhënies dhe Drejtësisë Tranzicionale”.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot udhëton për në Mynih të Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë atje (Munich Security Conference). I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kryeministri Kurti do të qëndrojë atje për tri ditë gjatë të cilave do të zhvillojë takime të ndryshme bilaterale”, tha Zyra e Kryeministrit të premtën, kur njoftoi për udhëtimin.

(Kosova Sot Online)