
Lexoni edhe:
Kosova po ruan sovranitetin e saj dhe po forcon aftësinë për të ofruar shërbime gjithëpërfshirëse
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Derisa në mesin e personaliteteve kryesore të politikës së jashtme të BE-së vazhdon të mbetet si komisare për zgjerim e BE-së Marta Kos, e përfolur publikisht nga politikani, publicisti, hulumtuesi dhe autori i mirënjohur slloven Igor Omerza në librin e tij më të ri, të titulluar jo vetëm në mënyrë ironike, por të emërtuar enkas – "Komesarka", që u promovua më 10 mars, mu në ambientet e Parlamentit Evropian, ku autori prestigjioz paraqet argumente të faktuara që provojnë në mënyrë autentike se Marta Kos ka qenë bashkëpunëtore e ish-policisë jugosllave UDB, e cila së fundi anuloi edhe vizitën e paralajmëruar që moti në Kosovë; nëse vërtet organizohet takimi i sipërpërmendur i nivelit të lartë, Kosova rrezikon seriozisht të hyjë në një fazë të re presioni për të lëshuar sërish pe dhe për të bërë kompromise të tjera në dëm të vendit tonë.
-Përndryshe, sa i takon dialogut praktik mes Kosovës dhe Serbisë, as që mund të flitet për “momentum të ri”, derisa lëshime bën vetëm Kosova, ndërsa Serbia nuk ka ndryshuar qëndrimet e saj ndaj Kosovës, e cila edhe 26 vite pas çlirimit vazhdon ta mbajë, pa asnjë të drejtë, vendin tonë në preambulën e kushtetutës serbe; kurse në të njëjtën kohë, bashkëpunëtorja e UDB-së, Marta Kos, vijon të mbetet komisare për zgjerim e BE-së etj.
Kështu që deklarata e Shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, menjëherë pas lehtësirave të përkohshme në Ligjin për të huajt, të miratuara në shenjë kompromisi me BE-në nga Qeveria e Kosovës për pjesëtarët e pakicës serbe, se ajo është e gatshme që së shpejti të ndërmjetësojë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sikur tenton që, pas një heshtjeje të gjatë dhe aferës së zonjës Marta Kos me UDB-në serbo-jugosllave, të shpërfaqur publikisht këto ditë në ambientet e Parlamentit Evropian, të hijezojë sadopak aferën në fjalë dhe të krijojë artificialisht përshtypjen se gjoja po ndodh një momentum i ri edhe në atmosferën e nderë të deritanishme të bisedimeve ndërmjet të dy vendeve, megjithëse për momentin nuk shihet as dëshmohet pothuajse asgjë konkrete në atë drejtim.
Për aq më keq, lidhja e sapo bërë publike e zonjës Marta Kos me UDB-në flet qartë se, as pas largimit të z. Lajçak e Josep Borrell, dy përkrahësve më të mëdhenj të Serbisë, ende nuk është larguar tërësisht rreziku për Kosovën, derisa ish-bashkëpunëtorja e UDB-së jugosllave mban postin e KOMISARES për zgjerim në BE; andaj, nëse edhe pas largimit nga BE i fusnotës nga prezantimi i emërtimit të shtetit të Kosovës, Kosova nuk trajtohet si shtet i barabartë me Serbinë, nuk kthehet në planin dialogues njohja reciproke ndërmjet të dy vendeve, nuk nënshkruhet marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit nga të dy palët, nuk tërhiqet paraprakisht letra e ish-kryeministres së Serbisë Ana Brnabić, dërguar në dhjetor të vitit 2023 Bashkimit Evropian, në të cilën thuhet se Serbia nuk i pranon pikat që kanë të bëjnë me njohjen e shtetit të Kosovës, si dhe nuk zëvendësohet, para rifillimit të bisedimeve, nga BE-ja, bashkëpunëtorja e UDB-së Marta Kos me një komisare të paanshme politikisht, Kosova nuk ka asnjë arsye që të nxitojë të takohet vetëm sa për dekor të BE-së me Aleksandër Vuçiqin apo cilindo udhëheqës tjetër shtetëror të Serbisë hegjemoniste, në rrugën e shtruar nga konspiracionistët e UDB-së, që kanë arritur deri në postin e komisares për zgjerim në BE.
Përkundër faktit se, çuditërisht, kryeministri Kurti, kësaj radhe u duartrokit “me eufori” nga evropianët për lëshimet që bëri në mënyrën e zbatimit të ligjeve për të huajt dhe automjetet për pjesëtarët e pakicës serbe, nisur nga përvoja e hidhur e deritanishme me BE-në, kam frikë se dakordimi eventual, pa asnjë kusht, i Kosovës për takim me Serbinë – nën serenatat e sinkronizuara me kujdes të bashkëpunëtores së UDB-së Marta Kos, e cila dihet apriori se anën e kujt e mban – sinqeriteti dhe gatishmëria për dialog e Kosovës mund të keqpërdoren përsëri, siç janë keqpërdorur në vijimësi, për të kërkuar lëshime të reja edhe në marrëveshjet e tjera të periudhave të kaluara, që realisht do të shkonin në dëm të Kosovës dhe do të favorizonin sërish Serbinë.
Kjo do të vendoste në disnivel të palejueshëm edhe trajtimin e barabartë të qytetarëve të tjerë të vendit, të cilët faktikisht mbeten më të diskriminuar në krahasim me minoritetin serb, si dhe do ta rrezikonte hapur e do ta vinte publikisht në pikëpyetje zotimin e Qeverisë Kurti për zbatim të plotë të sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Për këto arsye, Qeveria e re e Kosovës, njëjtë si në mandatin paraprak, duhet t’u japë prioritet veprimeve në planin e brendshëm dhe, sapo të pajiset nga krerët lokalë me listat e stafit akademik dhe shëndetësor, të gjithë ata të obligohen të aplikojnë për pajisje me leje pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të filluar menjëherë me procesin e inkorporimit të plotë të sistemit të edukimit dhe atij shëndetësor brenda sistemit tonë shtetëror, për t’u dhënë fund paralelizmit e sistemeve ilegale të Serbisë në vendin tonë dhe funksionimit të tyre vetëm brenda institucioneve tona shtetërore e në pajtueshmëri me ligjet e Republikës së Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".