Ministri ukrainas i Mbrojtjes: Shumë nga ata që do ta pushtonin Kievin për 2-3 ditë, tash janë në ferr

  • A.P /
  • 01 March 2022 - 17:31
Ministri ukrainas i Mbrojtjes: Shumë nga ata që do ta pushtonin Kievin për 2-3 ditë, tash janë në ferr

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov pasi kryesoi dje delegacionin e Ukrainës në bisedimet me Rusinë është kthyer menjëherë në vendin e tij, duke u ribashkuar me të tjerët në mbrojtjen e vendit.

Ai po i motivon ushtarët e tij edhe pas 128 orësh luftime në mbrojtje të vendit. “Shumë nga ata që prisnin ta pushtonin Kievin për 2-3 ditë tashmë janë në ferr. Le t’i mbajmë armët fort! Vazhdojmë rezistencën! Lavdi Ukrainës!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook, ku i ka publikuar disa fotografi.

Reznikov i ka udhëhequr luftimet kundër forcave ruse në vendin e tij që prej të enjtes e javës së kaluar, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Ministri, i cili vazhdimisht shprehet se Ukraina po e fiton luftën, u nda pak nga ushtarët tjerë për të marrë pjesë në takimin e delegacionit të udhëhequr prej tij me delegacionin e Rusisë.

As dje, kur atij i është dashur t’i lë bashkëluftëtarët për pak dhe të dalë përballë të dërguarve të Putinit për të biseduar, nuk u duk më diplomat. Në një video të publikuar, ministri ukrainas u duk plot vetëbesim.

(Kosova Sot Online)