Do vijojë lëvizja e grurit dhe misrit mes Serbisë e Shqipërisë

  • G.G /
  • 15 March 2022 - 13:36
Do vijojë lëvizja e grurit dhe misrit mes Serbisë e Shqipërisë

Pavarësisht se për tregjet e tjera ndërkombëtare mund të jenë bllokuar nga lufta në Ukrainë, gruri dhe misri nga Serbia do të lëvizin lirisht në drejtim të tregut dhe konsumatorit shqiptar. Lajmi bëhet me dije nga ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, pas takimit me ministrin serb të Bujqësisë, Branislav Nedimovic, të cilët kanë konfirmuar hapjen e tregut dhe lëvizjen e lirë të grurit dhe misrit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në kuadër të marrëveshjes Open Balkan.

“Në një takim me ministrin Nedimovic në Beograd patëm mundësinë të diskutojmë edhe njëherë marrëveshjen e Ballkanit të Hapur edhe në kushte në të cilat gjendemi tani dhe për të siguruar që kjo marrëveshje funksionon. Kontratat e lidhura tashmë për importin dhe eksportin e produkteve të ndryshme përfshirë atë të misrit apo të grurit do të vijojnë normalisht. Ne garantuam njëri- tjetrin për një bashkëveprim dhe bashkërendim institucional të mirëkuptuar dhe është shumë e rëndësishme që kompanitë shqiptare do të kenë mundësi që kësaj jave do të mund të vijojnë biznesin e tyre normalisht për importet e grurit dhe misit. Ky është një shembull i mënyrës se si marrëveshja e Ballkanit të Hapur krijon lehtësira edhe në periudha shumë të vështira, për arsye të luftës”, tha ministrja Krifca.

Vizita dhe takimi mes dy ministrave për garantimin e funksionimit të marrëveshjes Open Balkan, veçanërisht për tregtinë e lirë të mallrave ushqimorë, vjen në një moment të vështirë për tregjet të cilat janë bllokuar nga lufta në Ukrainë.

(Kosova Sot Online)