Faturat e Kurtit për 1 vjet në qeveri – Gazi amerikan, kriza energjetike, rritja e çmimeve, paga minimale

  • G.G /
  • 22 March 2022 - 16:13
Faturat e Kurtit për 1 vjet në qeveri – Gazi amerikan, kriza energjetike, rritja e çmimeve, paga minimale

Qeveria “Kurti 2” sot i ka mbushur një vit. Sipas kundërshtarëve, këtë periudhë të qeverisjes së Albin Kurtit, e kanë përcjell kryesisht dështimet. Projekti amerikan i gazit, kriza energjetike, rritja e çmimeve, dështimi për rritjen e pagës minimale, janë vetëm disa nga çështjet për të cilat është kritikuar. Për të gjitha këto, Kurti ka pasur përgjigje.  

Me ardhjen e Albin Kurtit në krye të Ekzekutivit, pritjet e shumë kosovarëve ishin të mëdha. Votuesit e tij prisnin se me të kryeministër, Kosovës do t’i zgjidheshin të gjitha problemet.

Për ta, ai ishte i pagabueshëm, i pakorruptueshëm e më i miri kryeministër që vendi ka pasur ndonjëherë.

Por, nëse i pyet partitë opozitare, shenjat e para të pakënaqësisë me partinë në pushtet u treguan në zgjedhjet lokale.

Vetëvendosje që në zgjedhjet nacionale kishte marrë mbi 50 përqind të votave, në ato lokale u rendit partia e katërt. Tri partitë opozitare që i kishte kritikuar gjatë gjithë fushatës, dolën para saj.

Fitoi vetëm katër komuna, e humbi kryeqytetin, ku ishte i bindur në fitore.

Pakënaqësitë për këtë qeveri do të rriteshin me vendimet që merrte Kurti.

Sot kur qeveria “Kurti 2” i bën një vit, Express ju sjell një përmbledhje të katër zhvillimeve kryesore që e prekin kryesisht fushën e ekonomisë, e që e kanë karakterizuar këtë periudhë të qeverisjes së tij.

Projekti amerikan i gazit

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të refuzuar projektin amerikan të gazit, i la të gjithë me “sy hapur”, edhe pse në qeveri nëse i pyet, ky projekt nuk është refuzuar pasi qeveria është duke përgatitur një strategji për energjinë.

Ishte Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila në një konferencë për media njoftoi se Qeveria e Kosovës nuk do të vazhdojë tutje me projektin për kyçjen e Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut, projekt ky i përkrahur nga MCC-ja amerikane.

Në atë konferencë, ajo kishte thënë se kanë nevojë për më shumë informacione rreth projektit të gazsjellësit për të ditur nëse është projekt adekuat për tranzicionin energjetik të Kosovës.

“Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, ka thënë ajo të enjten në një konferencë për media.

Refuzimi i këtij projekti kishte ngjallur shumë reagime. Partitë politike e njohësit e ekonomisë s’mund ta kuptonin arsyen pse Kurti i tha “Jo” këtij projekti.

Lidhja Demokratike e Kosoëvs e kishte quajtur hap të gabuar strategjik këtë vendim dhe veprim të pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon.

“Një hap i gabuar strategjik. Një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon. Një humbje financiare dyqind milionëshe në një vend pa zhvillim. E pakuptimtë, e dëmshme, e papranueshme. Përkushtimi i Kosovës në projekte strategjike amerikane nuk duhet të ketë hezitim. Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë”, thuhej në komunikatën e kësaj partie.

Për refuzimin e këtij projekti, kishte reaguar edhe Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj. Ai e kishte quajtur këtë si veprim të rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Po iu pyes Kryeministër Kurti: Gjatë vizitës suaj të gjatë në Greqi, a e keni takuar ndonjërin nga përfaqësuesit e Gazpromit rus dhe a është kjo arsyeja e refuzimit të projektit të gazsjellësit amerikan!?

Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kishte reaguar pasi Qeveria e Kosovës ka refuzuar gazpërcuesin amerikan.

Miftaraj përmes një postimi në Facebook kishte thënë se nuk pritet diçka më mirë nga një qeveri e përbërë nga, siç i quante ai, praktikantët dhe amaterët.

“Qeveria refuzon projektin e gazit. Nuk pritet diçka më mirë prej nje qeverie e perbere prej praktikanteve dhe amaterave! Qeveri qe mendon se me propagande dhe fjale te bukura qeveriset dhe mbahet shteti”, ka shkruar Miftaraj.

Reduktimet e rrymës e shtrenjtimi i energjisë elektrike

Pak muaj pas refuzimit të projektit amerikan të gazit, Kosova u përfshi nga kriza energjetike. U vendosën edhe masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlenin maksimalisht 60 ditë.

Sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshinin: Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Pas dhjetë viteve, Kosovës iu kthyen reduktimet e energjisë elektrike. U tha se kufizimet do të jenë për dy orë, por në shumë vendbanime zgjasnin më shumë se aq.

Për qytetarët, kjo ishte situatë e papranueshme. Sidomos për ata që ngroheshin me rrymë.

Nervozën ua rrisnin edhe më shumë kërkesat e vazhdueshme të Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila u bënte thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike gjatë stinës së dimrit, duke shfrytëzuar alternativa tjera për ngrohje.

Reduktimet u hoqën pas rreth dy javësh, por vendimi që do të merrej më pas, do të rriste paknaqësitë edhe më shumë.

Zyra e Rregullatorit për Energji miratoi tarifat e reja, me të cilat parashihej shtrenjtimi i energjisë për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kËh. Këto tarifa hynë në fuqi më 8 shkurt dhe do të aplikohen deri më 31 mars të vitit 2023.

Qeveria tha se ka ndarë 90 milionë euro për të subvencionuar këto tarifa në mënyrë që t’u lehtësohet barra qytetarëve, por asnjëherë nuk tregoi se subvencionimi ishte vetëm deri në fund të këtij viti. Kësisoji, qyetetarët do të duhet të paguajnë vlerën reale të faturave në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, nëse s’ndahen para tjera.

Ky vendim shkaktoi edhe protesta. Ishte Partia Socialdemokrate, që e organizoi protestën para Qeverisë së Kosovës, ku morën pjesë shumë qytetarë.

Rritja enorme e çmimeve e produkteve ushqimore dhe derivateve

Njeriu që sa ishte në opozitë kishte zgjidhje për çdo gjë, kur erdhi në pushtet iu “zhdukën”.

Kurti e harroi edhe premtimin që e kishte bërë në vitin 2014.

Gjatë fushatës zgjedhore atë vit, Kurti thoshte se me Lëvizjen e tij në pushtet, do të uleshin çmimet e produkteteve elemetare.

“Edhe buka me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, nga 36 cent që është mesatarja e çmimeve për muajin shkurt të vitit 2014 bëhet 31 cent, sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent, qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet 78 cent”.

Lërë më që çmimet s’janë ulur kur ai tash është në pushtet, por madje kanë shënuar rritje flagrante edhe çmimet e produkteve elementare për jetesë.

Buka kushton 50 centë, e çmimi i vajit shkoi deri në 3 euro e 49 centë, për të rënë më pas pas gjobave në rreth 2 euro.

Përveç bukës e vajit, është ngritur edhe çmimi i miellit, derivateve të naftës, biletave të autobusëve dhe taksive.

Dështimi për rritjen e pagës minimale

Me shtrenjtimin e produkteve esenciale për jetesë e krizën energjetike, rritja e pagës minimale kërkohej më shumë se kurrë.

Por, propozimi për rritje dështoi.

Ishte Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili më 10 mars njoftoi se propozimi për rritje të pagës minimale ka dështuar, duke thënë se ai nuk është mbështetur nga përfaqësuesit e sindikatave.

Në këtë mbledhje ishin dhënë dy propozime për pagën minimale: njëri 264 euro dhe tjetri 300 euro. Asnjëri prej tyre s’kishte kaluar.

Vlera e pagës minimale në Kosovë s’ka ndryshuar qysh nga viti 2011 dhe mbetet më e ulëta në Evropë.

Për shumën se sa duhet të jetë paga minimale, kanë mendim të ndryshëm edhe sindikatat.

Kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se nuk njohin asnjë pagë që është nën 400 euro.

“Ne si sindikatë e sektorit privat të Kosovës nuk e njohim këtë Këshill Ekonomiko-Social, gjegjësisht përbërjen nga BSP-ja pasi që atje janë njerëz jo serioz, njerëz të cilët nuk kanë të bëjnë me pagën minimale. Janë njerëz të cilët më së pakti kanë të bëjnë me këtë pagë dhe ne e kemi thënë fjalën tonë, çdo pagë, çdo këshill kushdo qoftë që nënshkruan pagë minimale nën 400 euro në Kosovë, le ti mbetet atyre ta vlerësojnë përndryshe sindikata e sektorëve privat të Kosovës nuk njeh asnjë pagë minimale nën pagën 400 euro”, ka thënë Azemi.

Ndryshe, nga Azemi mendon kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.

Sipas tij, paga minimale s’duhet të jetë më pak se 350 euro.

“Deri në fund të muajit shkurt ata duhet të na sjellin një rekomandim po lëvizja e çmimeve, lëvizja e shportave të qytetarëve, për punonjësit e Kosovës dallon nga paga që thuhet 250 euro. Ne si BSPK kemi ardhur në përfundim që paga minimale nuk duhet të jetë më pak se 350 euro”, kishte thënë ai.

(Kosova Sot Online)