Jasharaj: Nesër protestë masive me mbi 10 mijë protestues

  • A.P /
  • 19 May 2022 - 17:50
Jasharaj: Nesër protestë masive me mbi 10 mijë protestues

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK), Atdhe Hykolli, ka zbuluar hollësi nga protesta e paralajmëruar për ditën e nesërme (20 maj), me ç’rast ai thotë se protesta nis në orën 13:00 ku edhe njëherë qeverisë do t’i parashtrohen kërkesat e tyre.

Hykolli në një prononcim deklaron se nesër pritet të jenë rreth 10.000 protestues.

Derisa thekson se protesta do të jetë e qetë dhe në kujdesin e Policisë së Kosovës.

“Protesta do të mbahet nesër. Grumbullimi i protestuesve, anëtarëve të Federatave Sindikale, nis në orën 13:00 në Sheshin Zahir Pajaziti, për të vazhduar nëpër Sheshin Nëna Terezë dhe për t’u ndalur në Sheshin Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ku partnerit social – Qeverisë sërish do t’i parashtrohen kërkesat tona. Presim që partneri ynë social – Qeveria të dëgjojë zërin tonë dhe të mos shpërfillë kërkesat tona e sidomos kërkesën që të hapet dialogu i mirëfilltë social. Priten rreth 10.000 protestues, dhe jemi organizuar asisoj që protesta të jetë e qetë, për çka do të përkujdesen kujdestarët e protestës po edhe Policia e Kosovës”, deklaron ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës në vend, Rrahman Jasharaj, thotë për GazetaBlic se protesta pritet të jetë masive.

Sipas tij, dita e nesërme është edhe një përpjekje që qeveria të reflektojë mbi kërkesat e tyre.

“Protesta e nesërme, pra e 20 majit pritet të jetë masive, është veprim sindikal, pra edhe një përpjekje e jona në mënyrë që kjo protestë të ndikojë që qeveria të reflektoj edhe të filloj me dialogun në përpjekje që të realizojë kërkesat tona. Ne presim që nesër të ketë një numër të konsiderueshëm të pjesmarrësve nga tërë Kosova”, deklaron Jasharaj.

Derisa flet për kërkesat e tyre, Jasharaj thotë se kanë bërë apel që nesër nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të mos shkojnë në shkollë, pasi që, siç thekson ai punëtorët arsimor do të jenë në portestë.

“Duke u nisur nga fakti se nesër presim numër të madh të pjesëmarrësve nga sektori i arsimit, kemi bërë apel tek drejtoritë arsimore, te prindërit dhe nxënësit që të na mirëkuptojnë dhe nesër fëmijët mos të shkojnë në shkollë ngase mësimdhënësit janë në protestë dhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme mos të mbesin pa kujdesin e punëtorëve arsimor. Jemi me shpres që qeveria do ta kuptojë situatën dhe të ulemi të dialogojmë”, ka thënë Jasharaj.

Kujtojm se, kërkesat e BSPK-së ndaj qeverisë së Kosovës janë: 

-Përcaktimi i Pagës Minimale

-Miratimi i Ligjit për Paga

-Nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore

-Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse

-Amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti

-Pranimi i përvojës se punës për të gjithë të larguarit nga puna gjatë viteve të 90-ta, dhe të eliminohet kriteri prej 15 vite përvojë punë para vitit 1999.

(Kosova Sot Online)