Policia e Vlorës shpëton dy familje kosovare që kishin ngelur në det, në mesin e tyre një fëmijë 2-vjeç

  • E.K /
  • 21 July 2022 - 11:24
Policia e Vlorës shpëton dy familje kosovare që kishin ngelur në det, në mesin e tyre një fëmijë 2-vjeç

Policia Kufitare e Vlorës ka shpëtuar dy familje nga Kosova që kishin ngelur në det dhe e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues. Në total ishin pesë shtetas të Kosovës, në mesin e tyre edhe një fëmijë 2-vjeç. Sipas policisë, kosovarët ishin në rrezik mbytjeje, por tani ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Policisë Kufitare Vlorë ka marrë njoftim për 2 familje kosovare që ishin duke lundruar në det, me një motoskaf, në afërsi të Gadishullit të Karaburunit, Vlorë, dhe e kishin të pamundur të ktheheshin në breg, pasi mjeti kishte pësuar defekt.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare, për t’iu ardhur në ndihmë 2 familjeve që ishin në rrezik mbytjeje. Shërbimet e Policisë i kanë nxjerrë në breg, me mjetet e Policisë Kufitare, 5 shtetasit kosovarë, midis tyre dhe një fëmijë 2 vjeç, të cilët aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.

“Policia e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në 112? dhe në Komisariatin Dixhital? çdo rast të paligjshmërisë”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)