“Kosova të vijë në Ballkanin e Hapur”, Rama: Marrëdhënia me Serbinë nuk më pengon të ndahem ku s’jam dakord

  • E.K /
  • 01 August 2022 - 11:45
“Kosova të vijë në Ballkanin e Hapur”, Rama: Marrëdhënia me Serbinë nuk më pengon të ndahem ku s’jam dakord

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për tensionet në veri të Kosovës gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez.

I pyetur nga gazetarët, nëse ajo që ndodhi tregon pse Kosova nuk duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur, Rama tha se është pikërisht e kundërta.

“Unë jam në të drejtën time t’ju them që e kundërta është e vërtetë. Ngjarja e djeshme është pasqyrë e vështirësisë së thellë që ka në këtë marrëdhënie dhe siç e thashë, ushtrimi i sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit të Kosovës, bazuar në marrëveshjen e dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel lidhur me temën që është bërë shkak i këtij acarimi, nuk është vetëm e drejtë dhe detyrë e qeverisë së Kosovës. Në këtë pikë unë e mbështes 100% qeverinë e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës që marrëveshja të zbatohet”, tha Rama.

Ndër të tjera kryeministri Rama shprehu mbështetjen për qeverinë e Kosovës, duke thënë se morën vendimin e duhur me zbatimin e marrëveshjes e më pas shtyrjen e saj me 30 ditë.

Më tej ai shtoi se në situata të tilla Kosova dy rrugë ka, njëra e kthimit mbrapa dhe e luftës dhe rruga tjetër është të ulet në tryezën e Ballkanit të Hapur.

“E përgëzoj kryeministrin dhe autoritetin e Kosovës për vetëpërmbajtjen dhe që dëgjuan aleatët jo që shtyjnë marrëveshjen, por për të sqaruar.

Këto situata nuk tregojnë që Ballkani i Hapur është i panevojshëm apo është i gabuar. Nuk tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit, dialogut, është e panevojshme, këto situata tregojnë pse duhet Ballkani i Hapur. Kjo është arsyeja pse Kosova duhet të vijë e të ulet në tryezën e Ballkanit të Hapur. Kur gjërat shkojnë në thikë ka dy rrugë. Njëra e kthimit mbrapa dhe e luftës, nga e cila nuk fiton askush, rruga tjetër është ndërtimi i paqes.

Na duhet të punojmë edhe më kokëfortësisht për paqen, për të ndërtuar rrugë ndërveprimesh që na japin mundësinë të kuptojmë që nuk jemi dy palë qenie, ca njerëz e ca alienë. Jemi njerëz dhe kemi detyrim që t’u lëmë paqen fëmijëve tanë.

Me presidentin e Serbisë, marrëdhënia miqësore nuk më pengon të ndahem aty ku nuk jemi dakord. Spanja ka arsyet e veta që ta lexojmë ashtu siç e lexon marrëdhënien me Kosovën, por nuk e pengon të jetë për liberalizimin e vizave. Ashtu sikundër kjo nuk është një shprehje mosrespekti për mënyrën si ne shqiptarët e shikojmë këtë çështje.

Për mua qeveria e Kosovës ka bërë gjënë e duhur, ka mbështetjen tonë, edhe për shtyrjen e reciprocitetit. Fqinjët nuk i zgjedhim, këta kemi.

Nëse do kishim fqinjë tjerë mund të ishim më të mërzitshme, fqinjët nuk i zgjedhim.

Serbia është aty, Kosova është aty, nuk shkon asgjëkundi. Historia do më japi të drejtë mua, jo juve.”, tha Rama.

(Kosova Sot Online)