Inflacioni tepër i lartë në SHBA
Rritja më e madhe e inflacionit në SHBA në 40 vitet e fundit po e godet rëndë vendin. Në Nju Jork, një metropol me gati 9 milionë banorë, është gjithnjë e më e vështirë të paguash qiranë dhe ushqimin.
Në maj të këtij viti, çmimet e ushqimeve në Nju Jork u rritën me ritmin më të shpejtë që nga viti 1981. Kjo rritje u ngadalësua pak në qershor, por çmimet e ushqimeve në SHBA janë ende 9,1 përqind më të larta se një vit më parë.
Kjo është rritja më e madhe që nga viti 1981 e deri më sot dhe niveli më i lartë në 40 vitet e fundit. Inflacioni i lartë është pasojë e ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit dhe të biznesit të shkaktuar nga vendosja e masave kundër pandemisë.
Kozmetikë në vend të perimeve
Numri i fëmijëve që vizitonin mensat publike të ushqimit në fillim të këtij viti ishte 55 përqind më i lartë se para shpalljes së pandemisë Corona – sipas informacioneve nga City Harvest, organizata më e madhe e rishpërndarjes së ushqimit në Nju Jork.
Gjatë masave kundër pandemisë, shumë organizata të tilla u krijuan në Nju Jork me synimin për të ndihmuar njerëzit e varfër. Sidoqoftë, subvencionet shtetërore për ta mbetën të njëjta – ato thjesht ndahen tani mes më shumë njerëzve. E me paratë që marrin, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ta që të blejnë ushqim të mjaftueshëm, sepse çmimi i ushqimit vazhdon të rritet.
Maria Sintron, e cila punon në shpërndarjen e ushqimit në distriktin Bronx të Nju Jorkut, thotë se dërgesat e ushqimit në organizatën e saj janë bërë jo të besueshme dhe se po ndodh gjithnjë e më shumë që ushqimi që vjen duhet të hidhet sepse ka skaduar afati i përdorimit apo është prishur. Filluan të vinin edhe kuti me produkte kozmetike dhe ilaçe – në vend të perimeve.
Gjendja pak më e mirë në korrik
Shumë restorante dhe bare, pas bilancit katastrofik financiar që patën gjatë pandemisë, ia dolën t’i mbanin klientët duke mos i rritur, ose vetëm duke i rritur pak çmimet e ushqimeve dhe pijeve. Por tani edhe ata kanë rritur pagat e punonjësve të tyre për t’i mbajtur ata – sepse ka një kërkesë të madhe në tregun e punës.
Mark Cohen, një profesor në Shkollën e Biznesit të Universitetit Kolumbia, tha se qeveria po bën gjithçka që mundet për të vënë situatën nën kontroll. Për shembull, Fed po rrit normat e interesit, e Presidenti Joe Biden ka detyruar kompanitë e naftës dhe gazit të rrisin prodhimin dhe të mbajnë të ulëta çmimet e benzinës. Por Cohen beson se efektet e këtyre masave mund të bëhen të dukshme vetëm brenda një viti.
Në të gjithë SHBA-në, rritja e inflacionit që nisi në kohën e vendosjes së masave kundër pandemisë u ndal pak në korrik. Është shumë herët për ta ndjerë atë në jetën e përditshme të Nju Jorkut. Përveç kësaj, pagat janë ende në rritje, vlera e parave po bie ndërsa qiratë po rriten.
(Kosova Sot Online)