A po kërcënon Vuçiq, raporton për “serbë që veshën uniformat për të mbrojtur Veriun”

  • E.K /
  • 13 September 2022 - 14:29
A po kërcënon Vuçiq, raporton për “serbë që veshën uniformat për të mbrojtur Veriun”

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq, në një seancë që po mbahet në Kuvendin e Serbisë ka folur për zhvillimet e ditëve të fundit të korrikut 2022, pak para hyrjes në fuqi me 1 gusht të masave të reciprocitetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për kartelat e identitetit dhe për tabelat e makinave.

Kreu i shtetit serb për herë të parë ka treguar se me 31 korrik në veri të Republikës së Kosovës ishin shfaqur serbë, të rinj dhe të vjetër, më uniforma, të cilët sipas tij do ta “mbronin Kosovën nga agresorët”, shkruan KoSSev.

Ai ka thënë se këta serbë kanë “qenë me uniforma por të pa armatosur”.

“Për herë të parë u shfaqen fytyra, të rinj dhe të vjetër, me uniforma të ndryshme që kërkojnë të mbrojnë veriun e Kosovës dhe Metohisë nga agresorët. Kur ata të rinj të kombësisë serbe u shfaqën pa armë, i gjithë populli, të gjitha gratë në zonat urbane, zbritën për t’i përshëndetur dhe për t’u thënë – “Mirë se erdhe liri””, ka thënë kreu i shtetit serb.

Vucic thotë se të gjithë të rinjtë që u shfaqen me uniforma, janë njohur nga banorët e zonave në veri të Republikës së Kosovës dhe janë përshëndetur me fjalët “Mirë se erdhe liri”.

Ai tutje ka thënë se po e tregon një histori të tillë, meqë serbët që jetojnë në veri të Republikës së Kosovës “janë të ngopur nga terrori i Prishtinë” dhe se po dëshiron të bëjë me dije se “sa larg kanë shkuar gjërat”.

Pas këtij fjalimi në Kuvendin e Serbisë, Vucic ka marrë një duartrokitje nga bashkëpartiakët dhe partnerët e koalicionit.

31 korriku ka qenë një prej ditëve më të tensionuara në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier në orët e vona kishte zbritur nga ambasada për në Qeverinë e Kosovës, ku kishte shprehur kërkesën amerikane që implementimi i masave të reciprocitetit të shtyhej për një muaj, kërkesë kjo që u pranua nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)