“Planifikohej edhe vrasja e Xhavit Halitit, për t’u dukur si hakmarrje”

  • E.K /
  • 19 September 2022 - 12:49
“Planifikohej edhe vrasja e Xhavit Halitit, për t’u dukur si hakmarrje”

Media A2news.com, ka publikuar një tekst të bërë publik nga hakerët ku i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

Sipas këtij raportimi, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë kishte marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës. Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në 4 muajt e ardhshëm, raporton A2.

I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

(Kosova Sot Online)