Gorani: Dokumentin për dialogun s’e kanë parë as publikuesit

  • A.P /
  • 19 September 2022 - 21:21
Gorani: Dokumentin për dialogun s’e kanë parë as publikuesit

 Dukagjin Gorani  ka dhënë një interpretim të dokumentit kornizë të rrugës për dialogun. Fillimisht ai u mor me mënyrën e plasimit të këtij dokumenti nga Albanian Post.

Gorani tha se beson që dokumentin nuk e kanë parë as redaksia e Albanian Post, mediumit që e publikoi një dokument kornizë.

Por pronari i Albanian Post, Baton Haxhiu, iu përgjigj duke thënë se e ka me vete dokumentin.

“Nuk bëhet fjalë për dokument. Dokumentin s’e kemi pa, madje marr të drejtën me besu që tybe as këta nuk e kanë pa. Neve na u ka jep një interpretim në mënyrë për të cilën prapë marr të drejtën me besu që është mënyrë e koreagrafume e interpretimit. Ajo që ka dalë në Albanian Post është interpretim. Kur e lexova dje ma çoi mallin sikur kur hin me kqyr sene që shesin në Merr Jep. Ta kallxon sa kubikë i ka kerri, sa kilometra i ka të kalume, t’i kallzon krejt edhe në fund shkrun ‘çmimi me marrëveshje’”, ka thënë Gorani.

“Unë e lexova interpretimin, por mungojke ajo që cka duhet me pagu na qat marrëveshje, cili është çmimi që ne duhet me jep. U tregojshin penallat nëse nuk arrihet, nuk u tregojke se sa kushton kjo marrëveshje, nuk tregojke a ka me pasë Asociacion të komunave me shumicë serbe, u tregu por u tregu, qëllimisht, në mënyrë të maskuar. Mu më ka mbet hatri prej Albanian Post, se interpretimi që është jep lëshohet prej zyrave politike, jo prej redaksive. Ai ishte interpretim që në zanatin tonë i thonë ‘spin’. Qëllimi i tekstit të djeshëm është që me i inkuraju qeveritë dhe opinionet publike me kqyr këtë marrëveshje me sy pozitiv dhe si diçka të mundshme dhe relativisht të lehtë”, tha Gorani.

(Kosova Sot Online)