Dita 34: Pa marrëveshje

  • E.K /
  • 27 September 2022 - 09:51
Dita 34: Pa marrëveshje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të arsyetuar çmimet e larta në Kosovë përmend luftën në Ukrainë, por kur mësimdhënësit kërkojnë 100€ shtesë vetëm për disa muaj, derisa të hyjë në fuqi Ligji i Pagave, ai sulmon ata me etiketa të ndryshme dhe shpërfill krizën e inflacionin e lartë në vend rreth 20%.

Kurti është duke këmbëngulur me kryeneçësi në pozicionin e tij kundërshtues ndaj kërkesave të mësimdhënësve edhe kur ka kaluar një muaj që nga fillimi i grevës në arsim dhe te shërbyesit civilë.

Pavarësisht se dy apo tri shkolla kanë tentuar të nisin mësimin, përpjekja e Kurtit për të shtypur grevën ka dështuar. Sulmet e tij të vazhdueshme kundër prijësve të saj, vetëm sa kanë bashkuar edhe më shumë grevistët.

Beteja e kryeministrit Kurti për të shtypur grevën dhe organizimin sindikal është një pasqyrë krejt tjetër nga ajo që dikur premtonte ai si opozitar. Në vitin 2019, ai u kishte premtuar sindikatave të Kosovës se “tek Qeveria e tij do të gjejnë partnerin që nuk e kishin te asnjë Qeveri tjetër që prej përfundimit të luftës”.

Në vend të përmbushjes së këtij premtimi apo një mirëkuptimi për kërkesat e mësimdhënësve, kryeministri Kurti që nga dita e parë e grevës i ka sulmuar dhe kërcënuar se do të mbesin pa pagën mujore.

Ndalja e pagës në këtë kohë krize të përballjes me inflacionin dhe çmimet e larta të çdo gjëje, do të ishte jo vetëm shkelje kushtetuese e ligjore, por edhe jo-njerëzore. Pavarësisht këtyre konsekuencave, Kurti ka qenë i vendosur ta bëjë këtë hap, por ai dhe ministri Hekuran Murati deri më tani kanë dështuar, pasi komunat nuk i kanë dorëzuar listat e mësimdhënësve grevistë.

Në betejën kundër grevave, kryeministri Kurti nuk është i vetëm. Ministra dhe deputetë të tjerë të Vetëvendosjes nuk kanë zgjedhur fjalë për të sulmuar kërkesat e mësimdhënësve.

Kundër grevave ka dalë edhe ministrja Arbërie Nagavci, e cila në vitin 2019, sa ishte në opozitë, nga selia e Vetëvendosjes kishte mbështetur grevat e mësimdhënësve. Fajtor për gjendjen e rëndë dhe pagat e tyre të ulëta e kishte lënë Qeverinë e asaj kohe.

Edhe ministrja Nagavci ka ndjekur Kurtin në kursin për të sulmuar mësimdhënësit. Ajo ka kërcënuar përmes idesë se mësimdhënësit duhet t’i nënshtrohen një procesi kombëtar të vlerësimit. Ky kërcënim i ministres Nagavci u bë skajshmërisht qesharak kur u publikua diploma e saj e studimeve master. Ky publikim dëshmonte se arsimi në Kosovë drejtohet nga një person të cilit i janë dashur 10 vite t’i përfundojë 2 vite të studimeve master. Por, edhe kur i kishte përfunduar, mesatarja e saj ishte e një studenti të dobët: 6.46.

Pra, kjo shtron pyetjen si mund të udhëhiqet procesi i vlerësimit të mësimdhënësve apo arsimi i një shteti nga një person me rezultate kaq të dobëta?

Nagavci ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje për studimet e saj master që lënë shumë për të dëshiruar, megjithkëtë daljet e saj publike nuk kanë munguar, me qëllimin e vetëm jo për të plotësuar kërkesat e mësimdhënësve, por për të shtypur grevën e tyre.

Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci e kanë filluar javën e fundit të shtatorit të pashqetësuar për nxënësit që kanë humbur mësimin e një muaji.

Kryeministri Kurti me kryeneçësi vazhdon të mos plotësojë kërkesën e përkohshme të mësimdhënësve. Strategjia e tij e vetme duket se është “loja me nervat”, pra që t’i bëjë mësimdhënësit të lodhen dhe në fund të dorëzohen. Kjo duket një strategji e lodhur e Kurtit, i cili ka harruar premtimin se “tek unë, tek Qeveria ime, do të gjeni partnerin që nuk e keni pasur te asnjë Qeveri tjetër që nga paslufta”. 

(Kosova Sot Online)