
Plot shpresë e vullnet, 49-vjeçarja po e lufton sëmundjen e kancerit

“Le të bahen të forta, mos ta lëshojnë veten se pa u ba të forta s’mundesh…” – është mesazhi që po ua dërgon të gjitha grave të prekura nga sëmundjet malinje.
Vahide Voci nga fshati Grejkoci i Suharekës shkon çdo ditë për trajtim në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë.
Voci, e cila para një viti u diagnostikua me kancerin e gjirit, tregon momentin kur nisën dyshimet për këtë sëmundje.
“Në momentin e parë kur jam diagnostifikuar me kancer, e kam vërejt me anë të prekjes që kam diçka, por nja 1 muaj 2 ‘hajt se nashta kaluese’. Mandej e kam bërë mamografinë e më thanë ‘ti patjetër ki mu ba operacion’”, tha ajo,
Intervenimi ishte i vështirë për 49-vjeçaren, meqë para pak kohësh mjekët ia hoqën mitrën.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, shpresa e vullneti ishin ato që i dhanë forcë në këtë betejë, që po e sfidonte për herë të dytë.
“Fillim ka qenë i rëndë, por me kalimin e kohës njeri po adaptohet, ishalla kem sukses, po shpresojmë që kemi me ba ma mirë”, tha Voci.
Të hënën, nëna e tre fëmijëve pati seancën e 22-të të radioterapisë në këtë klinikë.
Janë mbi 100 pacientë që çdo ditë i nënshtrohen kësaj procedure, që zgjat afër 2 minuta.
E një kat më lartë në Onkologji është salla ku qindra pacientë marrin trajtimin më të rëndësishëm për kancer, kimioterapinë.
Heshtjen që kaplon këtë hapësirë e thyen zhurma e injeksioneve që bëhen gati e bisedat e stafit shëndetësor me pacientët.
Për numrin e pacientëve që vijnë për trajtim foli edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit, Arben Bislimi.
“Derisa kemi një fluks të madh të pacientëve që trajtojmë në planin ditor, me një mesatare në repartin e kimioterapisë diku 250 pacientë që marrin shërbime dhe në repartin e radioterapisë afër 100”, tha Bislimi.
Bislimi edhe njëherë ngre shqetësimin për mungesë të stafit shëndetësor e të barnave esenciale.
“Me një numër kaq të madh të pacientëve që frekuentojnë brenda ditës, ne si profesionistë të fushës mundohemi ta mbarojmë punën tonë. Por problem kemi me stafin infermieror, kemi mungesa edhe në repartin e kimios dhe në atë të rrezeve”, tha ai.
Bislimi bën thirrje që të kërkohet ndihma e mjekut kurdo që dikush vëren ndonjë ndryshim në gjinjë.
(Kosova Sot Online)