Rasti Dehari, Haxhiu: Ka neglizhencë nga ana e prokurorit special

  • E.K /
  • 05 November 2022 - 11:27
Rasti Dehari, Haxhiu: Ka neglizhencë nga ana e prokurorit special

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur para mediave përgjatë homazheve te vorri i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Ajo ka thënë para mediave se Ministria e Drejtësisë i ka përfunduar gjitha kompetencat lidhur me rastin Dehari.

“Si Ministri e Drejtësisë gjitha kompetencat për rastin Dehari i kemi përfunduar. Ne kemi suspenduar tre zyrtarë njëherë, pastaj edhe dy të tjerë që kanë pasur përgjegjësi gjatë kohës kur ka ndodhur ky rast”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë se Prokuroria duhet ta bëjë punën e saj pa vonesa dhe ka theksuar se është e nevojshme drejtësia për Astritin sepse edhe shoqëria e dëshiron atë.

Ajo tutje ka pohuar se lidhur me këtë rast ka një neglizhencë nga ana e prokurorit special, gjersa, ka bërë thirrje që të ndërrohet prokurori i rastit apo të formohet një ekip prokurorësh që të zbardhin rastin sa më shpejt.

“Ka një neglizhencë nga ana e prokurorit special, aj nuk flet për rastin, injoron kërkesat e familjes. Unë thërras që të ndërrohet prokurori i rastit ose të formohet një ekip i prokurorëve dhe sa më shpejt të zbardhet rasti”, ka përfunduar Haxhiu.

Sot shënohet gjashtë vjetori i vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosja, Astrit Dehari.

(Kosova Sot Online)