Kirby: Marrëveshja për targat mund të jetë një prelud për arritjen e një zgjidhjeje

  • A.P /
  • 25 November 2022 - 20:25
Kirby: Marrëveshja për targat mund të jetë një prelud për arritjen e një zgjidhjeje

Marrëveshja për targat, të cilën Kosova dhe Serbia e arritën të mërkurën në Bruksel, mund të jetë një prelud për arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë në negociatat mes dy vendeve, ka deklaruar ish-ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


“Ka më shumë gjasa që kjo të jetë një zgjidhje për një krizë afatshkurtër, por unë me të vërtetë shpresoj për një zgjidhje afatgjatë gjithashtu. Ndoshta ky sukses mund të çojë në diçka tjetër. Nuk ka pse, por mundet. Po i referohem çështjeve të tjera që duhet të zgjidhen – përpara se të arrihet një njohje përfundimtare. Kjo, natyrisht, ka të bëjë me njohjen e Kosovës nga Serbia – ku nga këndvështrimi ynë, Serbia do të anëtarësohej në Bashkimin Evropian. Këto dy gjëra shkojnë paralalisht”, tha diplomati amerikan.

Kirby beson se është mirë që ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shtyu përpara këtë proces.

Kur u pyet se çfarë mendon se solli kthesën, ai thotë se “është e mundur që të dyja palët filluan të kenë një pikëpamje më serioze të asaj që po ndodh në Ukrainë, dhe se ka ende një perspektivë evropiane – dhe se Bashkimi Evropian mund të pranojë anëtarë të rinj”.

Se cilat mund të jenë përfitimet afatgjata nga marrëveshja e arritur, ish-diplomati amerikan shprehet se ka qenë një çështje irrituese prej vitesh dhe “është mirë të heqim qafe barrën që mund të çojë në kriza siç ka pasur në të kaluarën”.

“Ka pasur tridhjetë probleme të tilla dhe është mirë që të zgjidhen një nga një”.

Ai shton se është e nevojshme që Prishtina dhe Beogradin të mësojnë të tolerojnë njëri-tjetrin dhe ta trajtojnë si fqinj.

(Kosova Sot Online)