Gërvalla: Kosova do të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO’s

  • A.P /
  • 23 December 2022 - 16:18
Gërvalla: Kosova do të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO’s

Optimiste se gjatë vitit 2023 Kosova do të bëhet pjesë e Partneritet për Paqe, që është parakusht për anëtarësim në NATO, është shprehur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla,  transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme, ajo ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës në Bashkim Evropian për çka ka thënë se ky proces bartë sfida të mëdha por ka shtuar se një veprim i tillë është ndërmarrë pas konsultimeve të mira me aleatët e shtetit.

“Sa i përket organizatës Partneriteti për Paqe, nuk është që është ide origjinale e vetëm e jona, por është edhe rekomandim i partnerëve tanë ndërkombëtarë, i cili po ashtu bart sfida sepse si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Partneritetin për Paqe, por edhe në Këshillin e Evropës kemi shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe secila prej fazave kërkon lobim të jashtëzakonshëm, kërkon shumë punë dhe kërkon shumëfish më tepër punë që u është dashur shteteve fqinjëve në të njëjtën rrugë kur kanë vendosur ta ndjekin. Personalisht jam shumë optimiste për vitin 2023 dhe Partneritetin për Paqe pa dashur të them më shumë fjalë sesa që do të mund t’i mbaja në fund, ne do të punojmë me po kaq përkushtim edhe në këtë sferë sa kemi punuar edhe për anëtarësime të tjera dhe shpresojmë që fundi i vitit 2023 Kosovën ta zërë si anëtare e Partneritetit për Paqe, me qëllim që të jetë edhe më e qartë rruga që Kosova do të ndjek rreth anëtarësimit në NATO”, ka thënë Gërvalla.


(Kosova Sot Online)