Dënohen dy 'kopshtarët' shqiptarë, zbulohet arsyeja

  • A.P /
  • 23 December 2022 - 19:34
Dënohen dy 'kopshtarët' shqiptarë, zbulohet arsyeja

Dy shqiptarë, të cilët kishin shkuar në Britaninë e Madhe ilegalisht përmes kanalit të “La Manshit”, u kapën në një fabrikë kanabisi me vlerë deri në gjysmë milioni paund.

Dy të rinjtë shqiptarë, K. Vraja dhe A. Xhaja, të dy nga 21 vjeç, u kapën më 7 tetor kur policia bastisi një magazinë në Thame.

Ata u gjetën në dhomat e katit të dytë të fabrikës, në ambientet e së cilës u gjetën gjithashtu 800 rrënjë kanabis, të cilat përllogariten që nëse do të dilnin në treg do të arrinin fitime deri në 470 mijë Paund.

Policia bëri me dije se në magazinë kishte lidhje të paligjshme elektriciteti, kuzhinë dhe një rrjet kamerash sigurie.


Avokati i Xhajes, tha se klienti i tij ishte trafikuar nga shtëpia e tij në një zonë rurale në Shqipëri dhe kishte kaluar në Belgjikë e Francë përmes një kamioni.

“Askush nuk i tha atij se çfarë e priste në Angli. Nuk ishte zgjedhje e tij. Kriminelët nuk i marrin në kanal, por në Shqipëri. Ata kanë nevojë për punonjës për fabrikat e tyre të kanabisit dhe i rekrutojnë në Shqipëri. Askush nuk i tha se do të shkaktonte një borxh prej mijëra Paund për të cilin, ai do të duhej të punonte; por kjo është ajo që ndodhi”, tha avokati.

Ndërdsa avokati i Vrajës, tha se i riu ishte në borxh prej 20 mijë Paundësh që i kishte marrë për të shkuar në Britani për një jetë më të mirë. Ai tha se dy “kopshtarët” nuk ishin larguar kurrë nga fabrika në Thame. Ata ishin mbyllur brenda dhe ushqimin ua dërgonin me porosi.

Të dy djemtë pranuan fajësinë për prodhim të drogave të klasit B. Ata u dënuan me nga 1 vit burg.

(Kosova Sot Online)