Profesori nga Sarajeva: Të rigjallërohet angazhimi i NATO-s në Kosovë, t’i dërgojnë një mesazh Serbisë dhe Rusisë

  • E.K /
  • 06 January 2023 - 08:11
Profesori nga Sarajeva: Të rigjallërohet angazhimi i NATO-s në Kosovë, t’i dërgojnë një mesazh Serbisë dhe Rusisë

Profesori në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, Hamza Karçiç, në një opinion për Al Jazeera, shkruan se për të ngritur nivelin e sigurisë në Kosovë duhet të ndërmerren tre hapa politikë.

Së pari, sipas Karçiç-it, prania e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) i cili aktualisht numëron rreth 3 mijë e 800 ushtarë, duhet të forcohet me rritjen e numrit të ushtarëve.

“Duke rritur numrin e trupave, NATO mund t’i dërgojë një mesazh të fortë Serbisë, Rusisë dhe botës në lidhje me përkushtimin e saj ndaj rajonit dhe qëndrueshmërisë së Kosovës si shtet i pavarur”.

Hapi i dytë, sipas profesorit nga Sarajeva, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të rrisin mbështetjen e saj – në aspektin e pajisjeve dhe trajnimeve – për njësitet e Policisë së Kosovës.

“Ndërsa KFOR-i është i dobishëm tani, në planin afatgjatë, vetëm një forcë e fortë policore kombëtare mund të sigurojë stabilitetin e vendit dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të tij”, vlerësoi ai.

Aspekti i tretë por jo për nga rëndësia, është që Kosovës t’i mundësohet anëtarësimi i përshpejtuar në NATO si një partner i besueshëm për Perëndimin.

“Vetëm anëtarësimi në NATO mund të sigurojë që ajo të mos përfundojë në një vakuum pushteti dhe të mos hyjë në konflikt aktiv me Serbinë”.

Më shumë se dy dekada pas ndërhyrjes së NATO-s dhe gati 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Beogradi ende po refuzon të njohë faktet dhe të pranojë sovranitetin e Kosovës.

Prandaj, nëse aleatët perëndimorë janë seriozë për ruajtjen e paqes në rajon, konsideroi Karçiç, ata duhet të rigjallërojnë angazhimin e tyre ndaj Kosovës para se të jetë tepër vonë.

(Kosova Sot Online)