Teoria konspirative / A e “amniston” Lul Bashën skandali McGonigal

  • 26 January 2023 - 16:40
Teoria konspirative / A e “amniston” Lul Bashën skandali McGonigal

Që kur filloi konfliktin me Berishën e deri më sot, ish kreu i demokratëve Lulzim Basha, është akuzuar nga kundërshtarët e vet brenda llojit, si i kapur, i blerë apo në bashkëpunim me Edi Ramën. Kjo qe madje njëra midis arsyeve të shumta që çuan në dorëheqjen e tij të pashmangshme. Por, me skandalin e fundit të shpërthyer në Amerikë, ku një zyrtar i lartë i kundërzbulimit në FBI, Charles McGonigal, është paguar nga regjimi i Tiranës për të goditur opozitën dhe për të hapur sipas dëshirave të Edi Ramës hetimin e parave ruse që Basha i pagoi lobistit Nik Muzin, teza e bashkëpunimit të përbashkët është vënë seriozisht në pikpyetje, transmeton "Kosova Sot Online".

Në të kundërt ky skandal dëshmon se qeveria shqiptare është sjellë me opozitën në një mënyrë të denjë për shtetet mafioze.

Çfarë tregojnë faktet?

Pasi ka ardhur në Tiranë ku është takuar me Edi Ramën në shtator 2017, Charles McGonigal është paguar në të zezë me plot 225 mijë USD. Qëllimi i kësaj pagese del qartë në aktakuzën e bërë publike kundër zyrtarit të FBI-së. Ai duhet të punonte kundër opozitës. Aty thuhet shprehimisht se mnjëherë pas kthimit nga Shqipëria, më 25 nëntor, McGonigal informoi një Prokuror të Departamentit të Drejtësisë, për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm “për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”. Shtetasi ameriakn është Nik Muzin, ai të Basha i kishte paguar mbi 600 mijë euro për të takuar dhe bërë foto me Donald Trump, për disa atrikuj në shtyp dhe për ta ndihmuar në prag të fushatës zgjedhore 2017.

Pra McGonigal, e ka filluar këtë hetim i cili më vonë u bë i njohur me nofkën e parave ruse të Bashës drejtpërdrejt me urdhrin e Edi Ramës. Dhe këtë gjë e dëshmon edhe një episod tjetër i aktakuzës. Pasi mori këtë detyrë McGonigal u takua sërish me Ramën në dhjetor në SHBA. Ndërsa në 22 janar 2018 ai mori nga njeriu i kryeministrit shqiptar, Agron Neza, një dosje me informacione kundër lobimeve të PD-së në Amerikë, që ishte përgatitur në zyrën e Edi Ramës.

Pra duket qartë se në fund të vitit 2017 dhe në fillim të vitit 2018 Edi Rama po komplotente duke paguar para kundër Lulzim Bashës.

A mund të flitet deri në këtë datë për një bashkëpunim të fshehtë mes tyre?  

Do ishte absurde ta pretendoje këtë pas fakteve të reja. Por ama teza e atyre që flasin për këtë bashkëpunim nis me marrëveshjen parazgjedhore të majit 2017. Pra ajo që na tregon skandali McGonigal është se jo vetëm deri në këtë kohë nuk ka pasur “deal” mes shefit të opozitës dhe kryeministrit, po ky i fundit ka korruptuar një zyrtar të lartë amerikan vetëm për ta përdorur kundër Bashës.

Mbështetësve të tezës “pakti Rama-Basha” u ka rënë një argument i fortë. Atyre tanimë i ka mbetur vetëm i dyti. Ai që pasi ngriti dhe pompoi aferën e lobimit rus të Nik Muzinit, Rama e përdori atë si një mjet shantazhi ndaj ish liderit demokrat. Pra që vetëm pasi Charls McGonigal ia doli të organizojë fabulën e lobimit rus, Rama e bëri Bashën vulnerabël nga frika se mos përfundonte pas hekurave për ato mbi 600 mijë euro që ende dhe sot mbeten pa origjinë.

Kjo pistë e dytë mbetet të shikohet sepse asgjë nuk është e pamundur përballë metodave të një regjimi mafioz. Por ama tani një gjë e dimë: ata që pretendonin për një pakt të fshehtë Rama Basha që pas marrëveshjes së 17 majit 2017 e kanë pasur gabim. Vetëm disa muaj më pas kësaj date regjimi i Tiranës pagoi para në dorë për ta groposur rivalin e vet kryesor. ©Lapsi.al

(Kosova Sot Online )