Ambasadorët kundër, qeveria largon francezët e pasaportave

  • E.K /
  • 15 February 2023 - 12:59
Ambasadorët kundër, qeveria largon francezët e pasaportave

Qeveria miratoi sot atë që Lapsi.al e paralajmëroi 10 ditë më parë; Fundin e koncensionit me kompaninë franceze që prodhonte pasaporta dhe karta identiteti dhe kalimin e kësaj sipërmarrje në dorë të shtetit pas 15 vitesh. 

Vendimi i Këshillit të Ministrave ka ardhur nën një kundërshti të madhe ndërkombëtare, kryesisht SHBA dhe BE, për të cilën Lapsi.al raportoi. Njësoj si ne ata kanë parë shkërmoqjen e shtetit dixhital të Edi Ramës, rrjedhjen masive të të dhënave përmes patronazhistëve dhe goditjen e hakerave iranianë. Kjo ka bërë që lëvizja e Ramës për të mosrinovuar kontratën koncensionare, përkundër interesit të shprehur nga francezët për vazhdimësi, të shihet me një dyshim shumë të madh. 

Ambasadorët e SHBA dhe BE në zyrën e Ministrit të Brendshëm

Një burim diplomatik i pati thënë Lapsi.al se amerikanët, por edhe Brukseli zyrtar janë shumë të shqetësuar për këtë vendim të Edi Ramës për të marrë në dorë të dhënat sensitive për të cilat qeveria e tij nuk ofron asnjë garanci se nuk do të keqpërdoren. Javë më parë, tregoi burimi diplomatik për Lapsi.al, ambasadorja e SHBA Yuri Kim ka zhvilluar një takim kokë me kokë me Ministrin e Brendshëm të cilit i ngriti këtë shqetësim.

Kim i kujtoi Çuçit infrastrukturën e dobët që ka shteti shqiptar për të garantuar sigurinë e këtij shërbimi dhe ruajtjen e të dhënave si dhe goditjen e para disa muajve nga e cila ne nuk e kemi marrë ende veten. Amerikanët nuk e lanë me kaq, por thirrën në ndihmë edhe europianët duke iu kërkuar të ushtronin presion tek Shqipëria. Po me Ministrin e Brendshëm u takua edhe ambasadorja e BE në Tiranë, Christiane Hohmann, shtoi burimi diplomatik i Lapsi.al

Ajo i ngriti zyrtarisht këtë shqetësim me po të njëjtat argumenta si ambasadorja e SHBA. Megjithatë duket se këto përpjekje rezultuan të kota pasi Edi Rama miratoi sot ngritjen e kompanisë shtetërore që do të prodhojë pasaporta dhe karta identiteti për shqiptarët nga 1 gushti e në vijim. 

Frika dhe rreziku

Shqetësimi i përbashkët i ndërkombëtarëve në këtë rast është, se shtetëzimi edhe i këtij shërbimi nuk garanton sigurinë për dokumentet biometrike të shqiptarëve. Mjafton skandali me patronazhistët që Lapsi.al e denoncoi i pari, shpartallimi i portalit e-Albania dhe goditja e sistemeve të Policisë së Shtetit e dalja sheshit e sekreteve, për të përligjur të gjithë presionin ndërkombëtar. 

Marrja në dorëzim e një kompanie ndërkombëtare me standarde të larta sigurie dhe menaxhimi i saj nga patronazhistët dhe klientela e Edi Ramës duket një vendim i kalkuluar mirë. Jo vetëm për të garantuar fitime të larta që në 2019 kapën shifrën rekord prej 15.5 milionë euro neto, por sidomos për të lehtësuar nisma të tjera të rrezikshme siç është amnistia fiskale apo Pasaportat Gold.

Lexo edhe: ‘Pasaportat e arta’ të Ramës rrezikojnë të kthejnë vizat për shqiptarët

Gjurmët e gishtave janë të dhëna shumë sensitive të cilat janë ruajtur me fanatizëm dhe standard të lartë nga kompania “Aleat”, e cila nuk ia ka dorëzuar shtetit shqiptar pikërisht sepse s’kemi infrastrukturën e duhur për t’i garantuar. Me kalimin në administrim shtetëror të kësaj kompanie shtohen dyshimet se njerëz me rekorde kriminale mund të penetrojnë më kollaj për t’u pajisur me pasaporta me identitet të rremë.

Kompania e re shtetërore, çfarë thotë VKM-ja

1. Krijimin e shoqërisë aksionare, me kapital 100 % shtetëror, për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike të shtetasve shqiptarë dhe/ose shtetasve të huaj me banim të përkohshëm apo të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve u njihet kjo e drejtë në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës në fuqi.

2. Emri i shoqërisë aksionare përcaktohet në aktin e themelimit dhe statutin e saj.

3. Shoqëria aksionare, sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij vendimi, themelohet, organizohet dhe funksionon, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.

4. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 20 000 000 lekë.

5. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 % të aksioneve të shoqërisë aksionare, është Ministria e Brendshme.

6. Shoqëria aksionare ofron kundrejt pagesës shërbimin e prodhimit dhe shpërndarjes së:

a) letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike;

b) dokumentit biometrik (leje qëndrimi për të huajt për çdo motiv me përjashtim të lejes provizore dhe humanitare);

c) letërnjoftimit elektronik për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;

ç) dokumentit të udhëtimit për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;

d) çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

7. Shoqëria aksionare mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.

8. Tarifat e shërbimeve përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

9. Shoqëria aksionare financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme. Të ardhurat e shoqërisë aksionare përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj.

10. Ministri i Brendshëm, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme për:

a) themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare;

b) regjistrimin e shoqërisë aksionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

11. Ministria e Brendshme i siguron shoqërisë aksionare mjediset e punës, të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.

12. Ministria e Brendshme i kalon pa pagesë shoqërisë aksionare çdo të drejtë ose titull të marrë në dorëzim nga koncesionari, sipas përcaktimeve të kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike”, datë 21 korrik 2008, e ndryshuar, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit të Sagem Securite e Fondit Shqiptaro – Amerikan të Ndërmarrjeve, ratifikuar me ligjin nr.9972, datë 27.8.2008, përfshirë të gjitha pasuritë e krijuara apo të ndërtuara apo të zhvilluara posaçërisht ose të përdorura nga koncesionari dhe/ose punonjësit e tij dhe që i përkasin koncesionarit gjatë periudhës së koncesionit dhe për qëllimin e zbatimit të koncesionit, përfshirë sistemet software dhe hardware dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

13. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 20 000 000 lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Brendshme transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

14. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

(Kosova Sot Online)