Arsyeja/ Pse Edi Rama u hetua nga juria e madhe amerikane në Kaliforni

  • E.K /
  • 18 February 2023 - 10:43
Arsyeja/ Pse Edi Rama u hetua nga juria e madhe amerikane në Kaliforni

Në shtator të vitit të kaluar, portali i njohur amerikan, Business Insider publikoi lajmin se kryeministri Edi Rama dhe e gjithë qeveria e tij ishin vendosur nën hetim nga një juri e madhe amerikane.

Ndërsa lajmi u përhap dhe u komentua nga kryetari i opozitës shqiptare, Sali Berisha, në përgjithësi pati një heshtje deri kur skandali shpërtheu plotësisht.

Lajmi u publikua që më 15 shtator të vitit 2022. Aty thuhet se për llogari të hetimeve për ish-agjentin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, një Juri e Madhe ka autorizuar dhe hetimet për kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij.

Në dokument theksohet se prokuroria amerikane do të kërkojë të ketë në dispozicion çdo regjistrim, dokument apo material ‘të qeverisë së Shqipërisë ose çdo presoni të lidhur me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përfshirë, por jo kufizuar te kryeministri Edi Rama’.

Lajmi ishte një bombë e vërtetë dhe i parapriu arrestimit të McGonigal disa muaj më vonë.

Por përse kjo juri e madhe ishte nga Kalifornia, më saktësisht nga San Françisko?

Detajet mund t’i ketë zbuluar revista e njohur amerikane, Rolling Stone, e cila thotë se pikënisja për hetimin e këtij skandali ka qenë një agjent i KGB-së, i cili ishte vendosur fillimisht në San Françisko.

Ishte pikërisht ky agjent rus, që arriti të korruptojë edhe Charles McGonigal, duke regjistruar kështu një nga skandalet më të rënda jo vetëm në historinë e FBI-së.

PJESE NGA SHKRIMI I ROLLING STONE

Në ditët e fundit të Luftës së Ftohtë, një diplomat i ri mbërriti në Konsullatën Sovjetike në San Françisko. 

Agjentët e terrenit në zyrën e FBI-së në San Françiskos e vëzhgonin me vëmendje personelin që hynte e dilte nga konsullata. Ndërtesa gjashtëkatëshe në një nga lagjet më pompoze të qytetit shërbeu për një kohë të gjatë si qendër kryesore e aktivitetit të spiunazhit. Diplomati sovjetik i sapoardhur në të njëzetat, Evgeny Fokin, ngriti shumë shpejt dyshimet se ishte një oficer i KGB-së që vepronte nën mbulimin diplomatik për detyrën e tij të parë jashtë vendit.

“Më kujtohet se ishte oficer i inteligjencës. Ai ishte KGB në atë kohë,” thotë Rick Smith, një veteran në pension i skuadrës së kundërzbulimit të FBI-së në San Françisko.

Tre dekada më vonë, ai diplomat i ri është tani në qendër të një historie tjetër spiunazhi. Kjo përfshin Charles McGonigal, një ish-oficer i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, i cili u padit muajin e kaluar për marrjen e parave në mënyrë të paligjshme nga Oleg Deripaska, një oligark rus i sanksionuar me lidhje me Kremlinin dhe shërbimet e inteligjencës ruse.

Fokin ishte ‘Agjenti 1’ misterioz, i përshkruar në dokumentet e gjykatës, një ekzekutiv që punonte për Deripaskën, i cili ngadalë e korruptoi agjentin veteran të FBI-së gjatë një periudhe trevjeçare, sipas burimeve dhe dokumenteve të shqyrtuara nga ‘Rolling Stone’.

I arrestuar muajin e kaluar, McGonigal përballet me akuza federale në Nju Jork për shkelje të ligjeve federale të sanksioneve që e ndalinin atë të merrte para nga Deripaska dhe të pastronte ato fitime të grumbulluara në mënyrë të paligjshme”, shkruan revista.

“Fokin, i cili ka punuar për oligarkun që nga viti 2007, kishte gjithashtu një dosje të trashë në FBI. Fokin shërbeu në Departamentin e Amerikës së Veriut në Ministrinë e Jashtme sovjetike dhe më vonë ruse në vitet 1980 dhe 1990, sipas biografisë zyrtare. Pas dy vitesh në San Françisko, detyra e radhës e Fokin e çoi atë si atashe në ambasadën ruse nga viti 1990 deri në vitin 1995. Sipas një raporti të ‘Daily Telegraph’ të Britanisë, ai punoi në SVR, shërbimin e inteligjencës së jashtme të Rusisë, dhe shërbeu si oficer ndërlidhës me agjencitë e inteligjencës amerikane gjatë asaj kohe.

Fokin nuk iu përgjigj mesazheve të dërguara në emailet e tij personale dhe të punës.

Aktpadia e federalëve amerikanë paraqet një pamje befasuese se si një gjahtar spiunësh i FBI-së u komprometua ngadalë nga një spiun veteran. Favorizimet e vogla u bënë favorizime të mëdha derisa McGonigal e gjeti veten shumë thellë. Është një lloj modeli spiunazhi që agjentët e kundërzbulimit janë të trajnuar për ta zbuluar dhe penguar.

Gjithçka filloi kur McGonigal ishte ende në FBI. Fokin kërkoi një prezantim me të nga një përkthyes rus, i cili punonte për prokurorët federalë në Manhatan dhe Bruklin. “Me kërkesën e zotit Fokin, kontaktova me zotin McGonigal,” tha përkthyesi Sergey Shestakov, në vitin 2021, kur u regjistrua me vonesë në Departamentin e Drejtësisë si agjent i huaj i Fokin.

Fokin kishte nevojë për një favor, thuhet në aktakuzë. A mundet që McGonigal të ndihmonte vajzën e tij, Alexandra për të bërë një stazh në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut? Agjenti i FBI-së u bind dhe Alexandra mori një trajtim VIP nga policia e Nju Jorkut. “Unë isha e përfshirë në çështje të çmendura, por jashtëzakonisht interesante dhe të vështira,” shkroi Alexandra Fokin në një postim të fshirë në Facebook në korrik të vitit 2018, të siguruar nga ‘Washington Post’. “Përvoja e punës në fushën e kundërterrorizmit doli të ishte diçka absolutisht e re dhe unike. Informacionet, bisedat dhe, sigurisht, faqet e pafundme të analizave”.

Fokin së shpejti pati një kërkesë tjetër. Ai kishte nevojë për ndihmë ligjore për të luftuar sanksionet që Thesari i SHBA i kishte vendosur Deripaskës në prill të vitit 2018, me argumentin se ‘ka vepruar ose ka kryer akte, drejtpërdrejt apo tërthorazi, për llogari të një zyrtari të lartë të qeverisë ruse;.

McGonigal ndihmoi duke e prezantuar Fokin me avokatët e një firme ndërkombëtare. “Me kërkesën e zotit Fokin, unë lehtësova me ndihmën e McGonigal vendosjen e kontakteve me firmën ligjore Kobre&Kim,” tha Shestakov për Departamentin e Drejtësisë. Përpjekja për të hequr sanksionet ishte të paktën pjesërisht e suksesshme. Administrata e Trump e lehtësoi presionin mbi kompaninë Rusal të Deripaskës, kompania e dytë më e madhe e aluminit në botë, më pak se katër muaj pasi u vendosën sanksionet ndaj saj dhe liderit të saj famëkeq. Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin tha se ‘sanksionet po ndëshkonin njerëzit punëtorë të Rusal’.

Rrjeti i kontakteve u thellua në vitin 2019 pas daljes në pension të McGonigal nga FBI. Ai u takua me Deripaskën në shtëpinë luksoze të oligarkut në Londër dhe Vjenë. Në gusht të vitit 2021, McGonigal nënshkroi një kontratë me Fokin për të punuar si konsulent sigurie me 41.790 dollarë në muaj për Deripaskën, sipas aktpadisë. Nëse qëllimi i Fokin ishte të komprometonte ish-agjentin e lartë të FBI-së, tani ai e kishte në dorë. Marrja e parave nga një oligark i sanksionuar ishte një krim. “Ata mund t’i kishin kërkuar çdo gjë,” thotë Smith, një veteran i kundërzbulimit të FBI-së në San Françisko. Sido që të jetë, çfarëdo ndikimi që Fokin dhe Deripaska të kishin mbi McGonigal, u zhduk në nëntor të vitit 2021, kur FBI-ja sekuestroi telefonin e tij personal me një urdhër të lëshuar nga gjykata.

Deri atëherë, dëmi ishte bërë. Asha Rangappa, një ndihmës dekan në Yale dhe një ish-agjent i kundërzbulimit të FBI në Nju Jork në vitet 2000, thekson se operacionet ruse që synojnë Perëndimin shpesh janë të strukturuara në mënyrë të tillë që Moska të përfitojë pavarësisht se cili është rezultati final.

Rasti i McGonigal- një ish-agjent i lartë i FBI-së që pranoi para të paligjshme nga një oligark i sanksionuar, duket se ndjek një model të ngjashëm. “Kjo është shumë skematike. Ata kanë aq shumë ndikim mbi McGonigal përsa kohë nuk dalin në dritë pagesat për të,” thotë Rangappa. “Nëse dalin në dritë, kjo do ishte një sy i nxirë për FBI-në”.

(Kosova Sot Online)