Çka pritet nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel?

  • E.K /
  • 22 February 2023 - 08:11
Çka pritet nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel?

Saktësisht një javë para takimit të radhës me presidentin serb, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar se çka pret nga përballja në Bruksel.

“Ne e kemi propozimin evropian me iniciativë franko-gjermane, që tashmë kemi konstatuar që është edhe bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme. Prandaj, nga dita e hënë kur zhvillohet takimi i radhës i takimit të lartë ne presim që edhe të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecim përpara mbi bazën e atij propozimi, mirëpo për gjërat e tjera nuk mund të flasim tani edhe për shkak se jo pak varet nga fasilituesit apo ndërmjetësit. Pas ditës së hënë do të mund të dimë më shumë se çka e kur”, kishte deklaruar Kurti.

Sa i përket mundësisë për diskutime mbi asociacionin Kurti shpreh besimin se duhet t’i përmbahen propozimit evropian e jo siç thotë interesit të njërës palë.

E presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, tha sonte se në takimin tjetër në Bruksel, brenda dialogut, “me siguri do të diskutohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe”, sepse shtoi se ai do të flasë për të dhe kështu shprehet se duhet të veprojnë edhe ndërkombëtarët.

Ndërkohë, ai u shpreh se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të flasë në Bruksel për kriminelin Sllobodan Millosheviq dhe veprimtarin e çështjes kombëtare të Kosovës, Adem Demaçi.

“Unë gjithmonë do të shkoj të flas, por nuk ka bisedë. Ai (Kurti) fillon të flasë për Sllobodan Millosheviqin, për Adem Demaçin dhe vuajtjet e tij. Ju e kuptoni që është prapa në atë kohë”, tha ai.

“Do të jenë taktikat e tij. Ai do të dalë përsëri me truket e reja. Por unë nuk mund të më befasojë”, shtoi ai.

Të hënën tjetër, Kurti dhe Vuçiq do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut të lehtësuar prej Bashkimit Evropian.

Nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel, vëzhgues ndërkombëtar të procesit të dialogut nuk janë optimist se mund të ketë përparim, apo dakordim për marrëveshje finale.

” ….Vuçiqi po shkon atje jo me nevojën e arritjes së marrëveshjes, por të krijojë situatën ku ai mund paraqes veten e tij si pala që po provon, pala që po punon për kompromis, por që nuk po mund të arrijnë marrëveshje për shkak të Qeverisë së Kosovës. Dhe në mënyrë që faji të vihet me palën kosovare”, ka  deklaruar Aidan Hehir, Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Akademiku irlandez, Aidan Hehir (Ejden Hehir), mendon se Vuçiqit nuk i shkon për shtati plani franko-gjerman, ndërkaq sa i përket palës kosovare thotë se i përkrahë në qëndrimet e tyre.

“Qeveria e Kosovës në sytë e mi ka të drejtën të kundërshtoj asociacionin në formën aktuale. Asociacioni origjinal i prezantuar në vitin 2013 fundamentalisht e minon sovranitetin e brendshëm të Kosovës. Është e ide Beogradit e që nuk do t’i ndihmojë serbët e Kosovës, por që do t’i kushtojë papes dhe sigurisë jo vetëm në Kosovë por edhe në regjion. Besoj se Kurti ka dëshmuar fleksibilitet sa i përket natyrës së asociacionit, edhe sa i përket gjashtë kushteve që i ka prezantuar sa i përket asociacionit”, ka deklaruar Hehir.

Edhe në Kosovës nuk janë shumë optimist nga takimi në Bruksel, kjo për shkak të qëndrimeve të kundërta të palëve për tema të caktuara.

“Për të arritur marrëveshjen ose duhet kryeministri Kurti ta pranojë në ndonjë mënyre asociacionin, ose presidenti Vuçiq duhet që të heqë dorë nga asociacioni pra nëse kryeministri Kurti thotë se nuk do të bisedohet për asociacionin në anën tjetër presidenti Vuçiq thotë se asociacioni është tema kryesore nuk ka shumë logjikë për optimizëm realist sepse kundërshtitë janë shumë të mëdha”, ka thënë Muhaxhiri.

Muhaxhiri thotë se përkundër gatishmërisë për ta pranuar planin franko-gjerman, nuk mund të shkohet përpara pa e trajtuar temën e asociacionit të komunave me shumicë serbe.