Berisha: Rama urdhëroi Etilda Gjonin, ministren e Drejtësisë, të bëhej pjesë e ansamblit të McGonigal në Vjenë

  • E.K /
  • 22 February 2023 - 14:23
Berisha: Rama urdhëroi Etilda Gjonin, ministren e Drejtësisë, të bëhej pjesë e ansamblit të McGonigal në Vjenë

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në mbledhjen e grupit parlamentar se e implikuar në aferën Rama-McGonigal është edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni. Ai iu referua hetimeve private që bënte Charles McGonigal në kryeqytetin austriak.

“Studentët e Ekuadorit u derdhën në rrugë, vetëm se një ministër i tyre doli i lidhur me dy mafiozë shqiptarë dhe kërkojnë rrëzimin e qeverisë.

A mundet ne të pranojmë që nuk bëhet fjalë për dy mafiozë dosido, por për një krim-ministër që porosit asgjësimin e opozitës te vrasës me pagesë.

Dosja shqiptare e Rama-gate apo Rama-McGonigal po bëhet gjithnjë e më e rëndë.

Menaxher i saj direkt është Edi Rama, për aq sa Duçka me pasaportë diplomatike dhe adresë qeveritare, ishte këshilltari personal i Edi Ramës.

Për aq sa Duçka, transportonte nga Europa në SHBA, dëshmitarë të rremë apo të vërtetë, që do dëshmonin kundër opozitës në hetimin privat që McGonigal kishte urdhëruar.

Ai arriti të angazhojë prokurorë nga Minsitria e Drejtësisë së SHBA dhe i sillte në Vjenë.

Ndërkohë Rama, urdhëronte Etilda Gjonin, ministren e Drejtësisë, të ishte pjesë e këtij ansambli në Vjenë.

Prandaj Rama ka frikë dhe tmerr nga hetimi, prandaj gënjen kur thotë se nuk ka qenë. I them se ka qenë dhe me asgjë nuk e fsheh dot këtë,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)