Berisha: Nuk dalim jashtë zgjedhjeve, ne do fitojmë bashkitë! Edi Ramës do ia ngushtojmë lakun në fyt

  • E.K /
  • 25 February 2023 - 13:42
Berisha: Nuk dalim jashtë zgjedhjeve, ne do fitojmë bashkitë! Edi Ramës do ia ngushtojmë lakun në fyt

Nga Gjirokastra, ku ishte i pranishëm në 32-vjetorin e degës së PD, kryedemokrati Sali Berisha tha se PD nuk heq dorë nga zgjedhjet.

“Ju ftoj të bëjmë gjithçka, që këta kandidatë, që i keni zgjedhur me votën e lirë, me vullnetin tuaj, i keni zgjedhur në mënyrën më demokratike, këta kandidatë që na bëjë krenarë sepse janë kandidatët e lirisë, të bëjmë gjithçka për fitoren e tyre.

Këta e meritojnë fitoren dhe këta do fitojnë. Zgjedhjet, votat janë shtyllë kryesore e revolucionit tonë.

Ata që mendojnë se revolucioni është vetëm përleshje, nuk kanë koncept nga revolucioni demokratik. Nuk heqim dorë nga zgjedhjet. Forca jonë do e dërrmojë këtë regjim.

Por do ndjekim çdo procedurë kushtetuese. Nuk dalim ne jashtë zgjedhjeve, ne do fitojmë bashkitë!

Edi Ramës do ia ngushtojmë lakun në fyt, ashtu siç e meriton!

Po përjetojmë një terror të asaj që njihet si tirania e relativizmit.

E keni parë Plarent Ndrecën ju? Ai është një ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, aty e përzunë me dru, së bashku me Lindën që drejton sot parlamentin, u përzu për disa arsye të forta. E çuan në një ministri tjetër, e shkarkuan për arsye edhe më të forta. E mori për mirditor Sandër Lleshaj, aty vodhi me uniformat. U porositën uniformat dhe 40 përqind firuan. Tani ky bilbilon nëpër studio, ky i paturp ju mashtron çdo natë. Se mos është vetëm ky. Është një grup lakejsh.

Tjetër i denoncuar për ryshfete 200-300 mijë euro, del e thotë se ajo që thotë Alisoni është gënjeshtër se darka nuk ishte 10 mijë dollarë, por 100 dollarë.

Kur e kërcënuan Arben Ahmetajn, thotë për Erion Veliajn, i kërkon SPAK-ut: ndiqni paratë. Ramës i thoshte që nuk lëviz dot qeverinë. Në fakt nuk e lëviz dot qeverinë. Por problemi është se këta janë mëkatarë në zinxhirë,” tha Berisha.

“Ne betejën e kemi për të vërtetën.  Gjirokastra dhe Shqipëria po shkojnë drejt shuarjes. Të vazhdojmë këtë revolucion deri në fitoren e plotë,” theksoi drejtuesi i PD.

(Kosova Sot Online)