Chollet - Vuçiqit: SHBA e mbështesin plotësisht propozimin e Bashkimit Evropian

  • A.P /
  • 26 February 2023 - 16:07
Chollet - Vuçiqit: SHBA e mbështesin plotësisht propozimin e Bashkimit Evropian

Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe të Serbisë, i ka thënë këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i ka thënë Të dielën presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përmes një bisede telefonike, Chollet i ka thënë Vuçiqit se pret që takimi i 27 shkurtit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, të jetë konstruktiv, dhe me përparim të dukshëm drejt marrëveshjes.

Kurti dhe Vuçiq do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Chollet ka folur edhe për nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën, në kuadër të dialogut, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Chollet i ka thënë edhe Kurtit një ditë më parë se tani është koha që të diskutohet për Asociacionin.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

(Kosova Sot Online)