PD debaton me Ramën sot për McGonigal, Berisha: Veprimtari supermafioze, shqiptarët të mësojnë të vërtetën!

  • E.K /
  • 02 March 2023 - 08:53
PD debaton me Ramën sot për McGonigal, Berisha: Veprimtari supermafioze, shqiptarët të mësojnë të vërtetën!

Parlamenti do të mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare për të zhvilluar debatin për çështjen McGonigal.

Opozita, e cila e ka kërkuar me ngulm mocionin me debat, interpelancën me Kryeministrin Edi Rama, të cilin e akuzon për një aferë të rrezikshme me zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal, ka paralajmëruar se do të zbulojë të gjitha lidhjet e tij në këtë çështje për të cilën ka nisur një hetim në SHBA.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, paralajmëroi dje se "Përmasat e superskandalit Rama – McGonigal në Shqipëri bëhen çdo ditë më kundërmuese e më të mëdha e më të zeza."

"Unë kam bindjen se (më 2 mars) në parlament atij do t’i numërohen në sy një për një e gjithë veprimtaria supermafioze me akte të veçanta që ai ka kryer me një tradhëtar të kombit amerikan, të cilit i ishin besuar detyrat më të larta në fushën më sensitive të sigurisë së SHBA, dhe shqiptarët duhet të njihen me të gjitha aspektet. Duhet të njihen me qindra e qindra denoncime të mediave amerina, europiane, botërore të cilat dilnin tre personazhe të zeza Oleg Deripaska në njërën anë, McGonigal tradhëtari i SHBA në anën tjetër, dhe Edi Rama supermafioz që e kontrakton atë si vrasës me pagesë të opozitës shqiptare, dhe që e shndërron Tiranën në epiqendër të gjobave që McGonigal dhe klani i Ramës Duçka dhe Neza prisnin ndaj biznesmenëve shqiptarë.

Debati (më 2 mars)ka një interes të jashtëzakonshëm kombëtar dhe ndërkombëtar, ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka ta pasurojmë me çdo element të veprimtarisë së Edi Ramës dhe McGonigalit në Shqipëri.

Duhet të hetojmë përfitimet direkte të këtij grupi mafioz me veprimtarinë e tyre mafioze në Tiranë. Duhen hetuar listat e kompiluara dhe shpërndahen në të cilat dalin qartë emrat e Lulzim Bashës, Edi Ramës dhe të tjerë. Pra, afera është një aferë e pashembullt. Kalon nga përpjekja për asgjësimin e opozitës tek lobimi kundër kompanive ruse për kompani të tjera, po ruse.

Është shumë e rëndësishme që shqiptarët të mësojnë të vërtetën (më 2 mars), Edi Rama i mashtron shqiptarët. Mori në mbrojtje të hapur McGonigalin, ai tha që bënte punën e FBI këtu në Tiranë tek priste gjobat, nuk tha kështu në mënyrë tekstuale, po çfarë bënte ai në restorantet e Tiranës, pyestjes së gazetarit. Po ajo ishte puna e FBI. Pra puna për të prerë gjoba.

Dhe u shpreh se ai nuk ka prerë gjoba, u shpreh se ai nuk është takuar me biznesmenë. Pra, u shndërrua në një avokat të tijin me moton: mos më shit, se nuk po të shes. Që të dy janë të përfunduar. Ai do të marrë dënimin e vetë nga vendi i tij, Edi Ramën e pret i njëjti dënim në Shqipëri."

(Kosova Sot Online)