Shpërthen virusi Marburg

  • A.P /
  • 22 March 2023 - 21:45
Shpërthen virusi Marburg

Tanzania ka njoftuar shpërthimin e saj të parë të sëmundjes vdekjeprurëse të virusit Marburg (MVD) e ngjashme me Ebolën, pasi pesë viktima dhe tre raste të tjera u raportuan në rajonin veriperëndimor Kagera.

Sipas OBSH-së rreth 161 persona janë identifikuar si në rrezik infeksioni. Qeveria ka vendosur një ekip të reagimit emergjent në zonë dhe vendet fqinjë kanë rritur mbikëqyrjen. Bëhet me dije se jashtë Kageras nuk është raportuar asnjë rast infektimi.

 

 

MVD u zbulua për herë të parë në vitin 1967 në Marburg dhe Frankfurt në Gjermani dhe Beograd, Serbi. Ai është nga e njëjta “familje virusesh” si Ebola dhe shkakton një ethe të rëndë hemorragjike, ndërsa shkalla e vdekshmërisë ka variuar nga 24% në 88% . Ka pasur disa shpërthime që nga zbulimi i saj, ku më e keqja ishte Angola në vitet 2004-2005, ku kishte 252 raste dhe 227 vdekje.

Virusi fillimisht transmetohet te njerëzit nga lakuriqët e natës së frutave, dhe më pas nga personi në person përmes lëngjeve të trupit ose objekteve të kontaminuara. Anëtarët e familjes dhe punonjësit e shëndetësisë janë veçanërisht të prekshëm ndaj infeksionit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Simptomat e sëmundjes mund të variojnë nga ethet, të përzierat dhe skuqjet në fillim, deri te verdhëza dhe humbja e rëndë e peshës ndërsa sëmundja përparon. Ka një periudhë inkubacioni deri në 21 ditë.

Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve bën me dije se nuk ka vaksina apo trajtime për virusin, por zbutja e simptomave nëpërmjet rihidrimit ose menaxhimit të niveleve të gjakut dhe oksigjenit të pacientit, mund të rrisë shanset për mbijetesë.

Ministria e Shëndetësisë e Tanzanisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin masa paraprake të përgjithshme dhe të ndjekin direktivat shëndetësore derisa situata të vihet nën kontroll.


(Kosova Sot Online)