Abdixhiku: Kosharja sot qëndron si tempull rikujtimi

  • A.P /
  • 09 April 2023 - 14:14
Abdixhiku:  Kosharja sot qëndron si tempull rikujtimi

Betejën e Koshares e ka përkujtuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se Kosharja sot qëndron si tempull rikujtimi për gjithë sakrificën e djemve e vajzave të vendit për të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave që vijnë

“Mes heronjëve të rënë që kanë gjetur pavdekësinë, me të gjallët dhe kujtimet e tyre për mëngjesin që mbanë datën 9 prill, shënuam 24 vjetorin e Betejës së Koshares dhe triumfit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në thyerjen e kufirit shqiptar. Kosharja sot na qëndron si tempull rikujtimi për gjithë sakrificën e djemve e vajzave të vendit për të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave që vijnë. Na qëndron si shenjë rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës. Sot, nderojmë Agim Ramadanin, Sali Çekajn, Xhemajl Fetahajn, Abaz Thaçin, dhe secilin hero të rënë në altarin e lirisë. Kosharja, vendi i fundit i tyre, është themel i lirisë sonë. Nderojmë po ashtu, gjithë të rënët e huaj në rrugëtimin tonë drejt lirisë; nderojmë francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider. Nderojmë të shkuarën tonë të lavdishme e të dhimbshme. Lavdi!”, ka thënë ai.


(Kosova Sot Online)