I shqiptohet 1 mijë e 500 euro gjobë ish-drejtorit të Arsimit në Skënderaj, pranoi se punësoi mësimdhënësin pa konkurs

  • S.A /
  • 14 April 2023 - 12:29
 I shqiptohet 1 mijë e 500 euro gjobë  ish-drejtorit të Arsimit në Skënderaj, pranoi se punësoi mësimdhënësin pa konkurs

Ish-drejtori i Arsimit në Skenderaj, Bekim Latifi, i akuzuar për korrupsion, është dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë, pasi pranoi fajësinë se sa ishte drejtor ka punësuar një mësimdhënës pa shpallur fare konkurs, transmeton "Kosova Sot Online".

Aktgjykimi dënues është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nga gjyqtari i rastit Rrahman Beqiri, pasi i akuzuari Latifi paraprakisht e pranoi fajësinë në shqyrtim fillestar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, i akuzuari Latifi u dënua me gjashtë muaj burgim, por me pëlqimin e tij dhe mbrojtësit të tij, avokatit Berat Peci, dënimi me burg iu zëvendësua në dënim me gjobë prej 1 mijë e 500 euro, në pajtim me nenin 44 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Latifi detyrohet që të paguajë shpenzimet e procedurës, 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit të kompensimit të viktimave të krimit.

Dënimin me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 500 euro, i akuzuari obligohet ta paguajë në afat prej 3 muaj nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ku këtë dënim me gjobë mund ta paguajë në këste të barabarta.

Gjyqtari Beqiri i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë të paraqesin ankesë në afat prej 15 ditëve, nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi.

Gjyqtari Beqiri njoftoi se gjykata ka marrë këtë vendim duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese si pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, faktin se kanë kaluar rreth pesë vite nga koha e kryerjes së veprës penale, ndryshimin e rrethanave, si dhe faktin se i akuzuari nuk ka qenë i dënuar më parë.

Paraprakisht, sot u mbajt shqyrtimi fillestar, ku të pranishëm ishin prokurori i shtetit Njazi Rexha, dhe i akuzuari Bekim Latifi me mbrojtësin e tij, avokatin Berat Peci.

Tutje, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rexha, dhe pasi i akuzuari u njoftua nga gjyqtari Beqiri për pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë, i njëjti e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 14 dhjetor 2020, ka ngritur aktakuzë kundër Bekim Latifit, të cilin e ngarkon se më 1 shtator 2018, ne cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Skenderajt, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që tjetrit t’i sjellë çfarëdo dobie, ashtu që në kundërshtim me Ligjin e Punës nr. 03/L-22, ka nënshkruar kontratën e punës me nr. protokolli 45/18 me Berat Dajakun, për mësimdhënës në lëndën e Historisë në shkollën e mesme të Ulët “Halit Geci”, në Skenderaj, në paralelen e ndarë në fshatin Rakinicë, pa shpallur fare konkurs. Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 të Kodit Penal.

(Kosova Sot Online )