Publikohet momenti i vrasjes së biznesmenit shqiptar në lokalin e tij

  • A.P /
  • 20 April 2023 - 19:35
Publikohet momenti i vrasjes së biznesmenit shqiptar në lokalin e tij

Ky është momenti tronditës i vrasjes së biznesmenit dhe politikanit Ardian Nikulaj në Shëngjin ditën e mërkurë, në ambintet e biznesit të tij.

Në videon e publikuar, shihet se autorit me skafandër në kokë dhe jelek fosforeshent, i janë dashur vetëm 10 sekonda për t’i marrë jetën 50-vjeçarit.

Nikulaj është duke folur në telefon, por në momentin që autori hyn në derë dhe e përshëndet ose thërret në emër sipas dëshmisë së vjehrrit të viktimës, biznesmeni lë në tavolinë celularin dhe kthen kokën në drejtim të tij.

Autori më pas bën 2-3 hapa në drejtim të tavolinës ku ishte ulur 50-vjeçari dhe me gjakftohtësi zbraz mbi të 6 plumba nga pistoleta tip “TT” me silenciator, madje duke iu afruar në fund si për t’u siguruar që shënjestra ka ndërruar jetë.

68-vjeçari ka treguar se kur ka parë autorin, ka menduar se ishte postier. Por pasi ka filluar të qëllojë, ndërkohë roja është larguar me vrap për ti shpëtuar plumbave.

Nga 6 plumbat e shkrepura nga pistoleta tip “TT” në drejtim të biznesmenit Nikulaj, vetëm 5 prej tyre e kanë kapur në pjesë të ndryshme të trupit. Ku plumbi fatal, sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ishte ai në pjesën e ballit, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të biznesmenit.

Ngjarja e rëndë vijon të mbetet pa autor edhe pse ekzekutori rezulton të jetë larguar me motorin e tij me targa të huaja, të cilin përdori për të mbërritur në vendngjarje duke lënë përshtypjen te dëshmitarët okularë se ishte një postier.

Për pistat e hetimit, policia vijon të mbetet e dyzuar, kjo edhe për shkak se viktima kishte një aktivitet të gjerë në biznes, politikë dhe gjakmarrje të vjetër.

(Kosova Sot Online)