Pineles:Ja pse dëshmitarët mund të tmerrohen të flasin kundër UÇK-së

  • A.P /
  • 25 April 2023 - 22:26
Pineles:Ja pse dëshmitarët mund të tmerrohen të flasin kundër UÇK-së

Në seanca kryesisht të mbyllura, tre dëshmitarët e parë në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë, i kanë dhënë dëshmitë e tyre, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Edhe ato pak minuta që janë parë, imazhi dhe zëri i tyre kanë qenë aq të transformuar, saqë pakkush e ka kuptuar se çfarë kanë thënë.

Gjyqi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nisur më 3 prill në Dhomat e Specializuara të Kosovës, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale.

Sipas gjykatësve, redaktimi i dëshmive dhe dëshmitë në seanca të mbyllura janë procedurë e rregullt ligjore, e cila aplikohet në rastet kur prokuroria, në konsultim me dëshmitarin, e kërkon një gjë të tillë.

Monitoruesit e proceseve gjyqësore, në anën tjetër, thonë se duhet të ketë balancë mes transparencës dhe mbrojtjes së dëshmitarëve.

Pineles: Qëllim është mbrojtja e personave që mund të jenë në rrezik

Gjyqtari amerikan, Dean Pineles, ka një përvojë gjyqësore mbi 20-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka punuar në Kosovë si gjyqtar penal ndërkombëtar në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, nga viti 2011 deri në vitin 2013.

Duke komentuar procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve, ai thotë se ky nuk është një proces i zakonshëm, pasi, sipas tij, “figurat më të rëndësishme të Kosovës në 24 vjetët e fundit” akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“A e dini se sa tmerruese mund të jetë kjo për shumë dëshmitarë”, pyet Pineles teksa komenton mbylljen e vazhdueshme të seancave gjatë dëshmisë së dëshmitarëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Është e rëndësishme të kuptohet se gjykata funksionon sipas rregullave të procedurës. Këto rregulla kanë dispozita që adresojnë mbrojtjen e dëshmitarëve, shumë prej të cilëve mund të jenë të tmerruar për të dëshmuar kundër heronjve të luftës së UÇK-së, si dhe viktimave të supozuara”, thotë Pineles.

(Kosova Sot Online)