Bislimi takon ministren suedeze Jessika Roswall

  • A.P /
  • 27 April 2023 - 15:59
Bislimi takon ministren suedeze Jessika Roswall

Në një drekë pune nga Ministrja për Çështje Evropiane e Suedisë, Jessika Roswall, u prit  gjatë vizitës zyrtare në Stockholm, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Për këtë ka njoftuar kabineti i Bislimit.

“Javën e kaluar, znj. Rosswall ishte nënshkruese e aktit të liberalizimit të vizave të Kosovës, i cili përmbylli një rrugëtim të gjatë dhe shënoi finalizimin e këtij procesi. Ajo e uroi dhe njëherë zëvendëskryeministrin në këtë arritje për Qeverinë, vendin dhe qytetarët si dhe në suksesin për hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, thuhet në komunikatë.

“Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi për fjalët e konsideratën, duke shprehur se Kosova ka synim e objektiv integrimin e plotë në institucionet e strukturat evropiane. ‘’Angazhimi ynë është serioz dhe puna jonë vijon në kuadër të objektivave strategjikë të vendit që e shohin Kosovën pjesë të familjes së gjerë evropiane’’, tha zëvendëskryeministri Bislimi”.

“Siguria, qëndrueshmëria, prosperiteti, vlerat demokratike dhe sundimi i ligjit janë prioritetet e Presidencës Suedeze të Këshillit të BE-së, dhe Kosova përfaqëson pikërisht këto vlera dhe punon për arritjen e këtyre standardeve. Në këtë frymë të përbashkët, u rikonfirmua bashkëpunimi i fuqishëm i Kosovës me Presidencën Suedeze të Këshillit të BE-së”.

“Demokracitë liberale, ku kombinohen sovraniteti i popullit dhe respektimi i të drejtave e lirive individuale është gjithashtu ajo që e karakterizon Bashkimin Evropian. Këto vlera janë ato për të cilat aspiron vendi ynë. Puna dhe arritjet në dy vitet e fundit, janë tregues i zhvillimit të Kosovës dhe përparimit në këtë trajektore. Si Qeveri besojmë se Kosova meriton të arrijë hapa të tjerë të rëndësishëm drejt integrimit evropian”.

“U theksua nga zëvendëskryeministri Bislimi se aplikimi për anëtarësim i 15 dhjetorit të vitit të shkuar ka qenë vetëm pikënisja, e tashmë duhet të ecim tutje drejt hapave vijues, e të cilat janë marrja e pyetësorit dhe më pas statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kosova dhe strukturat koordinuese të integrimit evropian brenda institucioneve tona, janë të gatshme për këtë proces”, përmbyllet njoftimi.

(Kosova Sot Online)