Ja si i përgjigjet Sveçla pretendimeve të Qalajt

  • A.P /
  • 04 May 2023 - 21:55
Ja si i përgjigjet Sveçla pretendimeve të Qalajt

Pretendimeve të deputetit Rashit Qalajt se ka marrë në pyetje shefat e hetimeve për 12 orë dhe u ka kërkuar llogari, i është përgjigjur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sveçla tha se ndoshta Qalaj, që ka qenë ish-drejtor i Policisë së Kosovës, ka ende dëshirë që raportohet tek ai.

“Mbase po duan të thonë se Departamenti i Hetimeve në Polici, e ato që janë për krimin e organizuar e korrupsionin duhet t’i raportojnë z. Qalaj ende? A çfarë është porosia e kësaj insinuate të thënë sot në Kuvend? Apo po duan të intimidojnë policët hetues që kryejnë punët e tyre? Padyshim që asnjë qëllim të mirë nuk e ka pasur sot ish Drejtori i policisë, deputeti i PDK-së Rashit Qalaj”, tha Sveçla.

Svecla pranon se takimi ka ndodhur, por thotë se personat në atë takim kanë marrë leje tek eprorët e tyre.

“Takimi i përmendur sot ka qenë prezantim i të arriturave të Policisë në fushën e luftimit të krimit, në formatin e punëtorisë (për ironi të fatit, në objektin që është pronë e MPB-së). Pjesëmarrësit e atij takimi kanë qenë me autorizimin e eprorit të Policisë dhe kabineti im. Policia e Kosovës është Agjenci Ekzekutive nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është detyrë e imja që të kërkoj prezantim apo raport mbi të gjitha angazhimet që Policia e Kosovës i ka në mandat dhe të obliguara ligjërisht që t’i zbatoj. Kjo vlenë për të gjitha agjencitë që mbulon Ministria e Punëve të Brendshme”, shtoi ai.

 “Ne nuk kemi rrugë tjetër përveç asaj të luftimit të krimit. Dhe ne do ta ndjekim atë rrugë pashmangshëm. Lufta jonë ndaj krimit do të vazhdojë, përkundër sulmeve e përpjekjeve për të minuar këtë proces. Për këdo që ka dilema në këtë, më vjen keq për ta, është proces i pakthyeshëm dhe natyrisht për disa edhe i dhimbshëm. Ne nuk kemi pranuar të shantazhohemi nga asnjë rrethanë, sot më shumë së kurrë as nuk shantazhohemi as nuk zmbrapsemi”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)