Osmani: Statuti i propozuar nga 'Ekipi Menaxhues' është një model si 'Republika Srpska plus'

  • A.P /
  • 10 May 2023 - 16:54
Osmani: Statuti i propozuar nga 'Ekipi Menaxhues' është një model si 'Republika Srpska plus'

Statuti i propozuar nga Ekipi Menaxhues është një model “Republika Srpska plus” dhe tregon që Serbisë nuk i interesojnë të drejtat e minoriteteve por vetëm që të ketë një instrument për të vazhduar që të sfidojë sovranitetin dhe integritetin territorial e shtetësinë e Kosovës, ka deklaruar presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Kur vije fjala që u propozua nga Ekipi Menaxhues është një model “Republika Srpska plus” dhe tregon që Serbia nuk i interesojnë të drejtat e minoriteteve në Kosovë por i intereson që të ketë një instrument për të sfiduar sovranitetin territorial dhe integritetin shtetëror”, ka thënë Osmani.

Për propozimin e Qeverisë së Kosovës, Osmani ka thënë se aty janë parametrat bazike mbi të cilat duhet të ndërtohet statusi dhe se është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese.

“Ndërkohë propozimi i Kosovës, që janë parametrat bazike mbi të cilat statusi do të duhej të ndërtohej, është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, ka thënë Osmani, raporton Express.

Ajo i ka dalë kundër shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell, i cili ka thënë e propozimi nga Ekipi Menaxhues nuk është draft final por është pikënisja për diskutimet rreth Asociacionit.

Shefja e shtetit të Kosovës ka thënë se pika startuese duhet të jetë Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe jo një propozim që synon të krijojë një tjetër “Dodik Republika” në Kosovë apo edhe më keq.

Osmani ka thënë se një propozim i tillë është tepër i rrezikshëm dhe si i tillë duhet të refuzohet në mënyrë unanime.

“Kështu që pika startuese duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës dhe jo një propozim nga Serbia që synon të krijojë një tjetër “Dodik Republika” apo edhe më keq  në rajonin tonë, e që synon të krijojë më shumë destruktivitet sesa në vitet e 90-ta. Kjo duhet të refuzohet unanimisht si një model tepër i rrezikshëm dhe jo të shihet si bazë për negociata”, ka thënë Osmani.

(Kosova Sot Online)