
Escobar: Nuk shoh asnjë arsye pse Asociacioni të mos mund të përfundojë deri në fund të verës

“Nuk shoh asnjë arsye pse Asociacioni të mos mund të përfundojë deri në fund të verës”, ka deklaruar Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve malazeze “Mina”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që këto procese të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më falni, kjo nuk është pritje. Është obligim”, tha Escobar.
Pa e përmendur verën, por urgjencën që kërkohet për zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së arritur në Bruksel, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dje ka thënë se zbatimi i plotë është rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënies Kosovë-Serbi. Gjithashtu, ai ka bërë thirrje që të mbarojë atmosfera negative dhe mungesa e konstruktivitetit.
Edhe senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, që dje qëndruan në Kosovë për vizitë zyrtare kanë kërkuar që Kosova ta përfundojë themelimin e Asociacionit këtë vit, duke e vënë theksin te koha. Sidoqoftë, ata e vunë në pah edhe obligimin e Serbisë për të mos e penguar Kosovën në rrugën e saj të konsolidimit të shtetësisë.
“Serbia duhet të ndalojë që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe mendoj se është e kuptueshme që komunat me shumicë serbe të kenë njëfarë mundësie për të bashkërenditur shërbimet që i ofrojnë. Por, koha ka shumë rëndësi. Është viti kur duhet të kryhet kjo çështje dhe që të mundësohet lëvizja drejt normalizimit, që do të çojë deri te njohja e ndërsjellë. Prandaj, na vjen mirë që dëgjuam për planet tuaja për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe jemi të gatshëm që t’iu përkrahim”, tha Murphy pas takimit me Kurtin.
Senatori Murphy u shpreh se si Kosova, ashtu edhe Serbia janë para zgjidhjeve të vështira.
Derisa krijimin e Asociacionit në emër të Adiministratës Biden e ka kërkuar shefja e USAID’it, Samantha Poëer, në vizitën që pati këtë muaj në Kosovë.
“Kemi pasë bisedime të gjera [me Kurtin] në orët e fundit në lidhje me urgjencën e krijimit të Asociacionit, si dhe urgjencën për zbatimin e plotë të të gjitha aspekteve të marrëveshjes”, kishte deklaruar ajo në një konferencë për media në Prishtinë.
(Kosova Sot Online)