Osmani në takim me ndërkombëtarët: Banda kriminale të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës

  • E.k /
  • 30 May 2023 - 11:27
Osmani në takim me ndërkombëtarët: Banda kriminale të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me zëvendëssekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Shërbimit të Jashtëm, Charles Fries, Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ku kanë biseduar pë zhvillimet në veri të vendit, përcjell “Kosova Sot Online”.

Osmani ka dënuar fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve.

Në komunikatën e Presidencës u tha se Osmani i ka quajtur këto grupe banda kriminale, që qëllim kanë destabilizimin e Kosovës dhe tërë rajonit. Bandat, sipas presidentes, janë të nxitura nga presidenti I Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Presidentja Osmani dhe Zëvendës Sekretari Fries diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. Presidentja Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)